Site icon Telegrafi

Latifi: Nëse dikujt i jepet një vaksinë me afat të skaduar unë jap dorëheqje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për fshehjen e numrit të vaksinave pa afat, derisa shtoi se po rrezikohen qytetarët e vendit nga ky proces. Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, një ditë më parë ka mohuar kategorikisht se qytetarëve u janë dhënë vaksina anti-COVID pa afat.  

Deputeti Haxhiu gjatë debatit në Kuvend, tha sot se Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të mbajë të fshehur numrin e vaksinave që u ka skaduar afati.

Mirëpo, pretendimet e sotme të deputetit Haxhiu, i ka hedhur poshtë një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili në “Përballje” në Telegrafi.com, ka thënë se asnjë vaksinë nuk është me afat të skaduar dhe se nëse ndonjë pacient merr vaksinën me afat të skaduar, ai do të jap dorëheqje.

“Asnjë vaksine nuk i ka kalu afati, dhe asnjë vaksinë me afat të skaduar nuk ka me iu dhënë ndonjë pacienti në Kosovë. Nëse kjo ngjan, që dikush të merr vaksinën me afatin e skaduar unë jap dorëheqje atë ditë”, ka deklaruar ai në “Përballje”.

Lexo po ashtu Haxhiu akuzon "MSh po e fsheh numrin e vaksinave pa afat", Konjufca: "Haxhiu po i bën dëm të madh procesit të vaksinimit"

Haxhiu në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se po kërkon qasje në dokumentet publike të MSH-së, por që kjo e fundit nuk po e lejon.

“Edhe sot MSH vazhdon të mbajë të fshehur numrin e vaksinave që u ka skaduar afati. Nga data 24 dhjetor 2021, unë kërkoj qasje në dokumentet publike në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkoj certifikata të analizës për çdo seri të vaksinave të importuar, por Ministria e Shëndetësisë nuk lejon qasej në dokumentet publike. Pra, MSH ka dështuar të implementojë planin e vaksinimit”, theksoi ai.

Në Kosovë prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.798.980 doza të vaksinës, deri më sot 809,982 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version