Telegrafi

Latifi: Në 22 klinika janë më shumë se 10 mijë pacientë në listë të pritjes

Foto: Arkiv

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, duke folur për listat e pritjes  së pacientëve për rezonancë magnetike dhe për koronarografi në spitalet e Kosovës, ka thënë se në 22 klinika të vendit janë më shumë se 10 mijë pacientë në listë të pritjes.

“Listat e pritjes nuk janë as një sekret i ministrit të Shëndetësisë as të krejt popullit. Në një studim që e kemi bërë ne në 22 klinika tona janë më shumë se 10 mijë pacientë në listë të pritjes. Nuk është problem që nuk e dimë e din secili prej nesh”, është shprehur Latifi.

Ai shtoi se listat e pritjeve do të zgjedhen me disa elemente duke përfshirë ndërtimin e qendrave klinike të ekselencës që, sipas tij, Qeveria Kurti dhe Ministria e Shëndetësisë i ka në plan.

“Neve tashmë po i blejmë edhe disa rezonanca, një në Pejë, në Prizren dhe Gjilan dhe mjekët duhet të edukohen pak më mirë se kur janë indikacionet për një rezonancë. Ka plot teste tjera që mund të bëhen për të bërë diagnozën. Unë si kirurg i përgjithshëm i traumatologjisë mund të numëroj në gishtat e dy duarve sa herë kam kërkuar rezonancë magnetike. Nuk po them që nuk është problem sepse nuk mundet me pritë dikush 8 apo 9 muaj për të ditur diagnozën”, ka thënë Latifi në “Kallxo Përnime”.

I pyetur se sa do të zvogëlohet numri i pacientëve në listat e pritjes, Latifi tha se nuk e di sa do të jetë numri.

“Këto lista janë mbledhë për një kohë të gjatë dhe punëtorët shëndetësorë të QKUK janë të vetëdijshëm që këto lista janë të mëdha. Nëse sot i kemi 10 mijë pacientë dhe do të ju them që kanë me qenë 5 mijë apo 3 mijë ju nuk duhet të më besoni mua sepse unë nuk e di sa ka me qenë ai numër”, ka thënë ai.

Tutje Latifi ka shtuar se çdo lëvizje që do ta bëjmë do të shkojë në favor të zvogëlimit të listave por jo vetëm kjo është edhe shtimi i efikasitetit të  punës.

Latifi ka thënë se aktualisht është arritur deri në 70 për qind përmbushja e listës esenciale të barnave.

“Është arritur deri në 70% të barnave esenciale, materiali shpenzues është siguruar 92 për qind, këto bëjnë furnizimin e barnave të vaksinave për sëmundje të rralla tuberkulozi, HIV, skleroza multiple, fibroza cistike etj”, ka thënë ai .