Telegrafi

Latifi: Gjatë muajit mars do të funksionalizohet Spitali i Pediatrisë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka deklaruar se Spitali i Pediatrisë, i cili është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, do të funksionalizohet gjatë muajit mars.

Ministri Latifi, në emisionin “Përballje” me Muhamet Hajrullahun në Telegrafi.com, ka thënë se është falënderues i madh i Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e këtij spitali.

“Spitali i Pediatrisë, është në fazën e fundit, mund të ju them që në mars do të jetë në funksion. Unë jam falënderues i madh i Emirateve të Bashkuara Arabe për ndihmën që kanë dhënë, duhet t’i falënderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në ndërtimin e këtij spitali”, është shprehur ai.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi.com / Ridvan Slivova

 

Latifi po ashtu ka folur edhe për sigurimet shëndetësore, duke thënë se sa më shpejtë që është e mundur do të bëjnë sigurimet shëndetësore për qytetarët.

“Unë jam shumë i bindur që sigurimet shëndetësore janë prioritet i joni, kur kanë me fillu sigurimet shëndetësore është çështje kohe. Sa më shpejtë që është e mundur ne duhet të bëjmë sigurimet shëndetësore, kjo ndikon edhe në zhvillimin e spitaleve private por edhe të shtetit”, potencoi ai.

Në intervistë, Latifi ka potencuar se nëse situata epidemiologjike do të përmirësohet atëherë do të largojnë të gjitha masat kufizuese.

Gjatë intervistës, Latifi ka thënë se në sistemin që ai e drejton tash e dy muaj, duhet të bëhet transformim e jo reformim.

“Ky transformimi duhet me qenë ku në qendër të vëmendjes do ta ketë pacientin. Duhet me u bazu në evidencë, në të dhënat që i kemi, duhet me u orientu në kërkime shkencore dhe me u fuqizu e udhëheqë nga teknologjia. Nëse nuk e bëjmë këtë nuk do të kemi transformim të shëndetësisë së Kosovës”, thekson ministri.

Gjatë kësaj interviste, ministri ka folur edhe për çështjen e specializantëve me vetëfinancim, e tema tjera me rëndësi. /Telegrafi/