Telegrafi

Latifi: Avdullah Hoti ma kujton disi Ramiz Alinë – është i vetmi të cilit Isa Mustafa i beson plotësisht

Blerim Latifi

Profesori i filozofisë politike, Blerim Latifi, e ka krahasuar Isa Mustafën me diktatorin Enver Hoxha, kur është në pyetje trashëgimtari i partisë dhe posti i kryeministrit.

“Kur e ndjeu se po i mbaronin ditët, Enver Hoxha bëri llogaritë se kujt mund t’ia besonte pushtetin. I rezultoi se i vetmi njeri tek i cili mund ta linte të sigurtë familjen e tij ishte Ramiz Alia. Që Ramizit t’i hapej rruga e trashëgimtarit duhej eliminuar pretendentët e rrezikshëm në krye me Mehmet Shehun. Plani funksionoi krejtësisht”, tha ai.

Sipas Latifit, Avdullah Hoti është personi i vetëm të cilit i beson Isa Mustafa, teksa thotë se të tjerët i duken tradhtarë.

“Sot Avdullah Hoti ma kujton disi Ramiz Alinë. Është i vetmi të cilit Isa Mustafa i beson plotësisht. Gjithë të tjerët i duken tradhtarë potencialë”.

“Prandaj Avdullah Hoti ishte dhe do të jetë emri i LDK-së për kryeministër. Deri në ditën që kryetar i saj do të jetë Isa Mustafa. Dhe me vullnetin e këtij të fundit edhe kryetari i ri i LDK-së”, ka shkruar ai në Facebook.