Telegrafi

“Last Kiss” – kënga që realizoi Pearl Jam në vitin 1999, për grumbullimin e fondeve për t’i ndihmuar refugjatët nga Kosova

(Foto: Getty Images)

“Pearl Jam” është një prej grupeve që iu bashkua artistëve të shumtë, të cilët në kohën e Luftës në Kosovë, u angazhuan në mënyra të ndryshme për t’i ndihmuar të prekurit nga tragjedia e atëhershme.

“Last Kiss” është një këngë e publikuar nga Wayne Cochran në vitin 1961, e cila u ripublikua pas dy vitesh nga i njëjti artist.

Edhe pse asokohe nuk pati shumë suksese nëpër top-lista, kjo këngë u ripërpunua disa herë. Fillimisht nga J. Frank Wilson dhe “Cavaliers”, pastaj nga Pearl Jam dhe shumë artistë të tjerë, duke përfshirë edhe grupin kanadez, “Wednesday’.

(Foto: Getty Images)

Pra, “Last Kiss” ishte realizuar edhe nga rok grupi amerikan, “Pearl Jam”, në kuadër të albumit bamirës, “No Boundaries: A Benefit for the Kosovar Refugees” (1999). Po ashtu, u përfshi edhe në albumin e vitit 2003, “Lost Dogs”.

Lexo po ashtu Eddie Vedder, tregimi për frontmenin e Pearl Jam që nuk e donte famën dhe që u rrit duke menduar se njerkun e kishte baba

Ideja për ta bërë versionin e vet të kësaj kënge i kishte lindur frontmenit Eddie Vedder, i cili kishte nisur ta interpretonte që në vitin 1998 nëpër koncerte.

(Foto: Getty Images)

Ndërkaq, një vit më pas, grupi vendosi ta incizonte versionin e tyre dhe ta përfshinte në albumin “No Boundaries: A Benefit for the Kosovar Refugees”, i cili u realizua për të grumbulluar fonde për t’i ndihmuar refugjatët nga Kosova.

Kënga u rendit e dyta në Billboard Hot 100 (prapa “If You Had My Love” të Jennifer Lopez) dhe është kënga më e suksesshme e “Pearl Jam” në këtë top-listë.

Projekti i Pearl Jam ishte në kuadër të një fushate të fuqishme që ndihmoi të mblidheshin rreth 10 milionë dollarë për t’i ndihmuar refugjatët nga Kosova.

Në vitet e nëntëdhjeta, përveç rokut klasik që jemi mësuar ta dëgjojmë, filluan të shfaqen në skenë grupe me rryma tjera por që për bazë kishin rokun.

Një ndër këto grupe ishte edhe “Pearl Jam” nga Seattle, që me stilin e tyre unik, vokalistin me një zë tejet karakteristik, Eddie Vedder, arritën t’ua rrëmbejnë zemrat miliona adhuruesve të muzikës rok nga e mbarë bota.

Për suksesin e këtij grupi tregojnë më së miri çmimet e shumta që i kanë fituar dhe hitet e mëdha, si “Jeremy”, “Alive”, “Even Flow”, “Porch” dhe “Black”. /Telegrafi/