Site icon Telegrafi

Largon mbi 15 kamionë mbeturina në Istog

Let’s Do It Kosova ka organizuar sot aksion pastrimi në fshatin Lubovë të Istogut, ku janë larguar më shumë se 15 kamion me mbeturina.

Këtë aksion Let’s Do It Kosova, e ka marrë në bashkëpunim me Komunën e Istogut. Drejtori i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj, ka thënë se nuk do të ndalen deri të pastrojnë të gjithë atë zonë.

Ndërsa, ka falënderuar banorët e këtij fshati që i janë përgjigjur thirrjes së tyre që të dalin dhe të pastrojnë.

“Fatkeqësisht edhe në këtë hapësirë po krijohen deponi me mbeturina siç i kemi në tërë Kosovën. Pra, ne i kemi inicuar organizimin e këtij aksioni për eliminimin e këtyre deponive në këtë lokacion në bashkëpunim me komunën e Istogut, bashkëpunim me ndërmarrjen “Ambienti” e cila vepron këtu dhe ka ofruar makinerinë e saj për organizimin e këtij aksioni….Deri më tani janë larguar diku 10 kamionë, po shihet që janë pothuajse katër apo pesë kamionë dhe nuk do të ndalemi deri sa t’i largojmë të gjitha prej këtu”, tha ai.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Istogut, Lulzim Blakaj, e ka vlerësuar lart punën e Let’s Do It Kosova që ka bërë në pastrimin e deponive në këtë fshat.

Ai ka thënë se edhe si komunë nuk do të ndalen deri sa të krijojnë një ambient të pastër për qytetarët e tyre.

“Ne edhe vitin e kaluar e kemi pasur projekt pastrimin e këtyre deponive ilegale që janë evidentuar diku 80 pika të deponive ilegale. Vitin e kaluar janë pastruar 30, në mesin e tyre ka qenë edhe kjo, mirëpo fatkeqësisht kjo po mbushet prapë prej qytetarëve. Edhe këtë vit e kemi në projekt po ashtu janë ndarë 25 mijë euro dhe do të vazhdojmë prapë me pastrimin e këtyre deponive ilegale”, u shpreh ai.

Elvis Ademaj, banor i këtij fshati që vullnetarisht ka dal për të pastruar thotë se duhet një vetëdijesim më i madh i banorëve për rëndësinë e mbrojtjes së ambientit.

“Pastrimi është një proces që është i domosdoshëm për secilin vend dhe ne si qytetarë së pari duhet të vetëdijesohemi që mos të bëjmë ndotjen. Por, pasi që ndotjet po bëhen atëherë të paktën të ndihmojmë në pastrim… meqenëse kjo është rrugë transitore atëherë këtu nuk është krejt ndotja vije nga banorët e fshatit Lubovë, por edhe persona që qarkullojnë shfrytëzojnë rastin meqë nuk ka shumë banorë në këtë zonë dhe nuk ka mbikëqyrje edhe e shfrytëzojnë ë të hedhin mbeturina”, tha ai.

Organizata mjedisore “Let’s do it Kosova” gjatë gjithë vitit ka organizuar aksione pastrimi në gjithë Kosovën, ku kanë arritur të largojnë mijëra deponi të mbeturinave .

Exit mobile version