Një monument i gjeneral Francisco Franco, monumenti i fundit i ish-diktatorit në Spanjë, u hoq në qytetin spanjoll të Melilla, në Afrikën e Veriut, të martën, njoftoi agjencia spanjolle e lajmeve EFE.
Statuja e Franco, i cili drejtoi diktaturën ushtarake në Spanjë nga 1939 deri në vdekjen e tij në vitin 1975, është hequr nga hyrja në port.
Një ditë më parë, një votim u mbajt në parlamentin lokal në Melilla, gjatë së cilit shumica e deputetëve mbështetën heqjen e monumentit. Ai u hoq në 40-vjetorin e grusht-shtetit të dështuar, kur në vitin 1981 një pjesë e ushtrisë, e pakënaqur me ndryshimet që kishin ndodhur, pushtoi përkohësisht parlamentin spanjoll në Madrid.
Heqja e statujës së Franco në Melilla zgjati më shumë se një orë dhe tërhoqi njerëz kuriozë, të cilët fotografuan ngjarjen me telefonat e tyre celular. Punimet u shoqëruan nga forca të mëdha policore. Disa u mblodhën duke duartrokitur dhe disa thirrën “Rroftë komandanti”, raporton gazeta në internet El Espanol.
Finally: The last statue of dictator Francisco Franco in Spain is removed… (in Melilla) pic.twitter.com/uwWHRAQm9I
— Andrew Stroehlein (@astroehlein) February 23, 2021
Monumenti lexonte “Melilla, komandanti i legjionit Francisco Franco (…)”. Legjioni spanjoll mori pjesë në Luftën e Reef të vitit 1920 midis ushtrive koloniale spanjolle dhe franceze kundër kryengritësve lokalë në Marokun e Veriut.
Monumenti u ngrit në vitin 1978, tri vjet pas vdekjes së diktatorit. Ishte monumenti i tij i fundit në rrugët dhe sheshet spanjolle pasi qeveria socialiste miratoi Aktin e Kujtimit Historik në vitin 2007, duke njohur të gjitha viktimat e Luftës Civile Spanjolle 1936-1939 dhe regjimit të pasluftës.
Në tetor 2019, qeveria e krahut të majtë spanjoll zhvendosi eshtrat e Francos nga një mauzole publik, 50 kilometra nga Madridi, në një varrezë më pak të njohur në periferi të kryeqytetit.