Lajmin e ka konfirmuar drejtori sportiv i kësaj skuadre, Naim Hajrizi. “Martin nuk është më trajner i Trepçës. Ai është larguar pas humbjes së fundit nga RTV 21 dhe në vend të tij është emëruar Ilir Selmani, i cili edhe më herët ka qenë trajner i skuadrës tonë dhe do të drejtojë skuadrën deri në fund të këtij sezoni”, ka thënë Hajrizi për ‘Sport Plus’.
Trepça të shtunën humbi nga RTV 21 në Prishtinë me rezultat 88:77. Kjo ishte fitorja e parë e prishtinasve në stinorin pranveror.
Vendimi i Bordit
Hajrizi ka treguar edhe arsyet se pse kanë vendosur për një hap të tillë. “Bordi e ka vlerësuar se nuk janë rezultatet e dëshiruara dhe humbja nga RTV 21 na ka shtyrë të bëjmë një veprim të tillë. Ne i kemi treguar trajnerit këtë vendim dhe ai është pajtuar. Skuadrën deri në fund të sezonit do ta udhëheq Selmani. Ne do të mundohemi ta mbajmë vendin e tretë që është synimi ynë kryesor”, ka vazhduar më tej drejtori sportiv i Trepçës, i cili ka shtuar se basketbollisti spanjoll Alvaro Calvo, nuk do të largohet deri në fund të sezonit.
Më herët Martin kishte thënë se në klubin e Trepçës ka probleme financiare, por as kjo nuk e pengon që të drejtojë skuadrën mitrovicase. E ndarja erdhi pas ndeshjes me RTV 21. /SportPlus/Telegrafi/