Inspektorati komunal i komunës së Tetovës në bashkëpunim me Sektorin për punë të brendshme në Tetovë, nga dita e mërkurë filluan aksion të përbashkët për largimin e shitësve ambulant të cilët ushtrojnë veprimtari të paligjshme në pjesën qëndrore të qytetit.
Lirimi i hapësirave të uzurpuara publike në Sheshin ”Iliria”, rrugët dhe trotoaret e qytetit në këtë periudhë të vitit bëhet edhe për shkak rritjes së fluksit të qytetarëve si rezultat i festave të fundvitit dhe rritjes së komunikacionit rrugor që vjen si pasojë e kthimit të mërgimtarëve.
Siç bëjnë të ditur nga komuna, ky aksion i koordinuar do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim që trotuaret dhe hapësirat publike të kthehen në funksion të qarkullimit të lirshëm të këmbësorëve, kurse vepritmaria ekonomike e shitësve ambulant të bëhet në pajtueshmëri me ligjin dhe në vendet e parapara për këtë aktivitet.
Komuna e Tetovës, njofton qytetarët se me rastin e Vitit të Ri, organizon dhënie me qera të hapësirës publike për shitje të dhuratave dhe zbukurimeve për Vitin e Ri. Të dhënat i gjeni në këtë vegëz./Telegrafi/