Telegrafi

Largohen mbetjet e spitalit modular në Tetovë, paralajmërohet vendosja e pllakës përkujtimore

Ka përfunduar procesi i largimit të mbetjeve të spitalit modular në Tetovë, i cili u dogj më 8 shtator të vitit 2021.

Procesi i pastrimit filloi dhjetorin e vitit të kaluar (2022), ndërsa ka përfunduar këto ditë.

Në vendin ku ka qenë spitali modular, autoritetet kanë paralajmëruar se do të vendosin pllakë përkujtimore për 14 viktimat që e humbën jetën nga zjarri tragjik, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Kujtojmë që zjarri i tmerrshëm që shpërtheu në spitalin modular, mori jetën e 14 personave të cilët trajtoheshin për COVID-19, ndërsa në mesin e viktimave ka pasur edhe familjarë të të infektuarve.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga zjarri në spitalin modular në Tetovë

Për këtë rast ka filluar edhe procesi gjyqësor, ndërsa akuzohen ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Për këtë ngjarje tragjike janë kryer katër ekspertiza, sipas të cilave shkaktari i zjarrit ka qenë tejnxehja e kabllos vazhduese në të cilën kanë qenë të kyçur aparatet për të infektuarit me COVID-19./Telegrafi/