Site icon Telegrafi

Sveçla: Sot janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve serbë në Zveçan

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se këtë të enjte në Zveçan janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve serbë.

Teksa ka njoftuar për rastin, Sveçla ka thënë se simboli i vetëm i Serbisë brenda shtetit të Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

“Sot në Zveçan janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve të cilat janë të papranueshme në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ministri në Facebook.

Ai tutje ka thënë se Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë për vlerat demokratike dhe orientimin euro-atlantik të saj ndërkaq si institucione mbesim të përkushtuar për rend e ligj dhe zbatim të kushtetushmërisë në çdo pjesë të vendit tonë.

“Këto billborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit tonë, nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë”, ka shtuar Sveçla.

Ndryshe, në këtë billbord ilegal në mesin e disa figurave ishte vendosur edhe fotografia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin. /Telegrafi/

Exit mobile version