Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paralajmëroi gjatë së dielës se serbët do të largohen nga politika, policia, gjykatat e prokuroritë e Kosovës, në rast se nis zbatimi i reciprocitetit për targa dhe dokumente nga 1 shtatori, pa ndonjë marrëveshje paraprake. Megjithatë, në Kosovë vlerësojnë se vetë Serbisë nuk i konvenon largimi i serbëve nga këto institucione
Shkak u bë bojkotimi i punës nga gjyqtarët serbë.
Deri tek ky veprim, ata erdhën pasi kryetarja e Gjykatës, Liljana Stevanoviq ishte suspenduar.
Kjo masë i ishte shqiptuar Stevanoviqit, për shkak të pjesëmarrjes në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Serbi.
Gjyqtarët bojkotuan punën, derisa Stevanoviq u rikthye përsëri në pozitë.
E një veprim të tillë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se mund ta ndërmarrin përsëri.
Por, kësaj radhe, sipas tij jo vetëm gjyqtarët, por edhe policët e prokurorët.
Mirëpo, kjo i duket vështirë e realizueshme, Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Partnerët tanë ndërkombëtarë e njohin dhe e kuptojnë rëndësinë e gjyqtarëve, prokurorëve serbë, policisë që funksionojnë brenda kornizës juridike të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim edhe Presidenti Vuçiq por edhe pala serbe do ta ketë shumë të vështirë që në mënyrë të njëanshme të tërhiqet nga kjo pjesë e marrëveshjes, sikurse mund të ndodhë që të tërhiqen, por më pastaj pasojat do të jenë në anën e Beogradit, në anën e Presidentit Vuçiq”, ka thënë Ehat Miftaraj.
Ndryshe nga e kaluara, Vuçiq paralajmëroi edhe largimin e serbëve nga Policia e Kosovës.
Megjithatë, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e Policisë, vlerëson se Serbisë nuk i konvenon një veprim i tillë.
“Çështjen funksionale që ka të bëjë me polici gjyqësor, pak i mbanë si variantë rezervë eventuale. Ne kemi kapacitete, që në rast se ai vazhdon me këtë politikën agresive, të paralajmërimeve dhe mundësisë eventuale të tërheqjes, çka unë nuk besoj, që t’i zëvendësojmë ata”, është shprehur Ibishi.
Para 1 shtatorit, kur pritet të hyjë në fuqi reciprociteti për targa dhe dokumente, Kosova dhe Serbia është planifikuar të takohen edhe një herë në Bruksel.
E në rast të ndonjë eskalimi të situatës, forcat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, tashmë janë vendosur në disa pika strategjike në veri të vendit./RTV Dukagjini/