Site icon Telegrafi

Largimi i Eliot Engel nga Kongresi Amerikan po shihet si humbje për Kosovën

Pas 32 viteve shërbim në Kongresin Amerikan është larguar Eliot Engel, një mik i madh i shqiptarëve. Largimi i Engel nga Kongresi nga njohësit e çështjeve politike po konsiderohet si humbje e madhe e Kosovës.

Profesori universitar Avdi Smajlaj thotë se Engel përfaqësonte më mirë Kosovën se sa vet institucionet tona.

“Engel ishte një zë i fuqishëm që ndoshta na ka përfaqësuar më mirë neve se vet ne vetën në nivel ndërkombëtarë…Shohim se pozita ndërkombëtare e Kosovës ka filluar të zbehet. Në aspektin e brendshëm ne nuk i kemi përmbushur pritjet që i kanë pasur sponsorët kryesorë të shtetësisë së Kosovës”, deklaroi Avdi Smajlaj për RTV Dukagjinin.

Edhe hulumtuesi Seb Bytyçi thotë se mungesa e Eliot Engel do të vërehet, por sipas tij diplomacia jonë duhet të gjejë miq tjerë në Kongres dhe Senatin Amerikan.

“Shkuarja e Engelit nuk mund të mos shihet si një humbje sado e vegël për Kosovën. Diplomacia është neglizhuar nga qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë. Marrëdhëniet me shtetet mike nuk janë kultivuar. Në anën tjetër nuk ka pasur progres në sigurimin e  njohjeve të reja, madje ka pasur edhe humbje të njohje…Kjo trego se duhet të ketë një ristart në diplomaci në mënyrë që të kultivohen marrëdhëniet me shtetet mike”, deklaroi Seb Bytyçi, përcjell Telegrafi.

Engel në fjalimin e tij të fundit në Kongres kishte deklaruar se Kosova do të ketë një vend të veçantë në zemrën e tij./Telegrafi/

Exit mobile version