Ndeshjet e barazhit mund ta sjellin derbin e zjarrtë “El Anamorava” ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, i cili konsiderohet si ndër më i madhi shqiptar, por që njihet edhe në rajon si shumë “i çmendur”.
Drita ka përfunduar në “Play-Out” në Superligë, ndërsa Gjilani është i treti në Ligën e Parë. Ky i fundit do ta takojë rivalin lokal ose Vëllaznimin, por kundërshtari i gjilanasve pritet të mësohet pas xhiros së fundit, e cila zhvillohet në fundjavën e ardhshme.
Dy rivalët e përbetuar kaherë mezi prisnin të takohen në derbin tashmë të njohur si “El Anamorava”, pasi spektakli ka qenë gjithnjë i garantuar, kurse stadiumi i qytetit në Gjilan gjithnjë ka qenë i vogël për t’i zënë gjithë tifozët e interesuar për ta përcjellë përballjen klasike.
Ky derbi kaherë konsiderohet si hijeshia më e madhe e futbollit kosovar, andaj ka pasur raste kur janë shkelur edhe rregulloret e garave, vetëm e vetëm për ta mundësuar takimin e tyre në kuadër të Kupës, pasi një gjë të tillë e kërkonin tifozët dhe vetë klubet, ndonëse rrezikonin eliminim të shpejtë.
Por, situata tani ka ndryshuar. Të dy klubet thonë “koftë larg” takimi i tyre, pasi assesi nuk e duan një përballje të atillë, e cila njërën skuadër do ta lërë në Superligë e tjetrën në Ligën e Parë. Trajnerët e të dyja ekipeve shpresojnë që rivalitetin ta shprehin më shpesh në elitë, gjatë edicionit të ardhshëm.
“Jemi të përgatitur për të dyja ekipet kundërshtare, cilido qoftë ai. Por, ne do ta preferonim Flamurtarin, për t’i ikur një derbi të qytetit. Ne duam që të dyja skuadrat gjilanase sezonin tjetër të luajnë në Superligë dhe të ketë derbi në ligë pas një kohe të gjatë”, thotë për “Zërin” trajneri i Dritës, Afrim Shahini.
“Ne nuk kishim fat, pasi nuk e merituam të shkonim në barazh, sepse kemi ekip të mirë. Megjithatë, mendoj se në barazh do të kalojmë mirë dhe do të mbetemi pjesë e Superligës edhe sezonin e ardhshëm”, vazhdoi ai.
Të njëjtin mendim e ndan edhe trajneri i Gjilanit, Sadullah Ajeti. Ai preferon ta kërkojë një vend në Superligë përmes Vëllaznimit.
“Mendoj se, për të mirën e qytetit të Gjilanit, do të ishte mirë ta shmangim duelin me Dritën. Kjo pasi do të ishte mirë që sezonin e ardhshëm të jemi në një ligë dhe të ketë derbi të qytetit. Prandaj, ne, e besoj edhe Drita, do të donim të mos takohemi në barazh”, shpjegon Ajeti.
“Ne jemi duke u përgatitur për lojën e barazhit qe një kohë, pasi e kemi siguruar vendin e tretë. E kemi një ekip cilësor, me 15 lojtarë kualitativë dhe nuk është se nuk kemi gjasa për t’u kthyer në Superligë. Do ta bëjmë të pamundurën që të kthehemi në Superligë”, nënvizoi ai.