Kjo iniciativë filloi gjatë një bisede me të rinjtë në një qendër rinore në Berlin të Gjermanisë. E nisa rrëfimin tim në praninë e tyre me gjendjen e shkollimit në Kosovë. Pastaj lindën shumë nën pyetje, ndër të tjera edhe ajo se çfarë është nevojë emergjente për fëmijët në Kosovë, duke pas parasysh edhe gjendjen e rëndë ekonomike. Si rrjedhojë e bisedës me ta, bëra pyetjen: “Sa janë në gjendje t‘ju ndihmonin këtyre fëmijëve”? Çuditërisht shumica e të rinjve gjermanë shpërfaqën interesim të jashtëzakonshëm në mbështetje të pa rezervë të kësaj ideje. Bashkërisht me këta të rinj komunikuam edhe me shefin tim me të cilin ramë dakord për iniciativën tonë dhe filluam planifikimet për ndihmë fëmijëve nga Kosova.
Duke hartuar planin dhe duke komunikuar edhe me shoqërinë e gjerë, më erdhi në ndihmë që të na hiqte obligimet për transport edhe biznesmeni i suksesshëm, Bekim Borovci, i cili ishte i gatshëm që ta organizonte edhe shpërndarjen e këtyre mjeteve shkollore nëpër shkolla e institucione në Kosovë. Bëra një status të shkurt në Facebook dhe më pas kjo iniciativë u përhap e u përkrah gjithandej. Një ish-kolege imja, Fatbardha Berisha, e cila jeton në Bernë të Zvicrës, menjëherë më kontaktoi për të shprehur gatishmërinë që i njëjti projekt të filloj edhe në Bernë. Maxhun Krasniqi, një tjetër ish-koleg imi nga Kosova, me propozoi të kontaktoja me disa të rinj të cilët ishin të gatshëm t’i bashkëngjiten kësaj iniciative me përmasa humanitare. Pasi që bisedova me këta të rinj lidhur me projektin, ata përbrenda një dite u organizuan dhe e krijuan grupin e tyre që quhet Creative Youth of Kosovo (Rinia Kreative e Kosovës). Krijuan grupin e tyre në Facebook, ku brenda disa orëve ftuan shumë të rinj dhe të tjerë e filluan të mbledhin materiale shkollore për fëmijët nevojtarë të Kosovës
Gjesti human i këtyre të rinjve më la pa fjalë. Ngase, energjia e tyre, besimi, dëshira e flaktë dhe vullneti për ndihmë të tjerëve ishte maksimal dhe është e papërshkrueshme. Të njëjtëve, iu falënderohem nga zemra, e ju uroj suksese në të ardhmen që me të njëjtin intensitet e motivim të ngritin solidaritetin, vetëdijen dhe besimin e njerëzve që të jenë humanë.
Pra, objektivi i këtij projekti, me moton “Lapsi yt do ta bëjë dikë më të lumtur dhe kreativ”, është iniciativë për rritjen e vetëdijes për humanitet. Me anë të një gjesti modest të dhurimit, të nxisim motivimin e një fëmije që të edukohet në rrethana normale pa mangësi teknike. Shpresoj e besoj në maksimën që “nëse ti mua më beson edhe unë ty duhet të besoj, nëse ke një qëllim të mirë”. Si rrjedhojë këtë iniciativë nuk e zhvillojmë në mënyra burokratike. Këtë sfidë mund ta arrijmë të gjithë së bashku, nëse i besojmë njëri-tjetrit. Për këtë arsye, ky projekt e ka zanafillën në shoqëri të shëndoshë, ku secili ka mundësi e rast të kontribuojë për një mirëqenie të njëri-tjetrit dhe lumturi e besim.
Ne jemi pikërisht ata që me vullnetin tonë e me këso iniciativash mund të ndalojmë mendime negative e frikën njëri-tjetrit që të ardhmes sonë, pra fëmijëve t’ju dhurojmë lumturi. Nëse keni një laps, fletore, çantë, gomë, vizore, çfarëdo mjeti shkollor, mund të lajmëroheni në emailin artaquni@hotmail.com e ne ua dërgojmë adresën e destinimit. Në Kosovë së pari na shkruani në këtë email: creativeyouthofkosovo@hotmail.com. Në Bernë, Zvicër, na shkruani në këtë email: fatbardhaberisha@hotmail.com. Kohëzgjatja e këtij projekti është prej 23.10.2012 deri më 23.11.2012!
Ju falënderoj nga zemra të gjithë juve që e përkrahni këtë iniciativë humanitare dhe posaçërisht dëshirën tuaj për ta gëzuar një fëmijë!