Site icon Telegrafi

Lansohet projekti “Siguria e fëmijëve në trafik”, Aliu: Prioritet çështja e sigurisë

Në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, sot (e enjte)  është lansuar projekti “Siguria e fëmijëve në trafik”.

Në këtë event morën pjesë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, dhe zv.ambasadori i Gjermanisë, Matthias Conrad, transmeton Telegrafi.

Aliu tha se në kuadër të sigurisë në rrugë, një ndër sfidat e ministrisë është pjesa e transportit.

“Në kushtet në të cilat po jetojmë dhe në zhvillimet që i kemi para nesh qoftë në Kosovë qoftë në mbarë globin, mobiliteti është një ndër fokuset themelore që lidhet me zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Shpikjet e reja, dinamika e vazhdueshme në zhvillim e ka të domosdoshme të përcillet paralel edhe nga çështja e sigurisë në trafik e që në vendin tonë paraqet një sfidë mjaft të madhe. E që është një ndër sfidat themelore të ministrisë sonë kur bëhet fjalë për pjesën e transportit”, tha ai.

Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

Ai shtoi se krahas planeve të tjera, prioritet do të mbetët çështja e sigurisë.

“Edhe në qytetet tona ka plane të reja të mobilitetit dhe synohen zhvillime e investime të reja. Synohet përherë që mobiliteti ynë të orientohet nga ai i gjelbërti që të ketë sa më pak ndikime negative në mjedis. Por, çështja e sigurisë mbetët çështje themelore që përfshinë shumë ministri e shumë fusha të jenë në bashkëpunim me njëra – tjetrën. Siguria në trafik mund të kontrollohet nga Policia e Kosovës, janë rregullat ato që zhvillohen në vazhdimësi dhe kontrollohen nga ministria jonë”, tha ai.

Edhe Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, tha se siguria në rrugë i prek të gjithë, prandaj ky projekt po përmbushë një nevojë të jashtëzakonshme.

Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit

“Dinamika e përshpejtuar e kohëve të sotme është e dukshme posaçërisht në rrugët që u përshkojmë çdo ditë. Kështu që natyrisht siguria në rrugë na prek të gjithëve në çdo orë të jetës qoftë në punë, në shkollë apo në rrugën që bëjmë prej shtëpisë, prej vendeve ku ne qëndrojmë e veprojmë në ambientet e tjera. Për këtë arsye kjo platformë e përmbushë një nevojë të jashtëzakonshme e të rëndësishme për mirëqenien tonë kolektive, e në radhë të parë për mirëqenien e sigurinë e fëmijëve. Ofrimi i sigurisë fizike për të vegjlit tanë është objektivi kryesor i platformës që po lansohet sot”, tha ajo.

Ndërsa, Sylejman Halili, polic, tha se policia e Kosovës edhe në të kaluarën ka dhënë sesione informuese për ti parandaluar problemet në trafik.

Sylejman Halili, Polic i Kosovës

“Sot patriotizëm është të shpëtosh jetë të njeriut, domethënë me aktivitete të tilla siç ka ofruar edhe GIZ-i. Është shumë me rëndësi se policia e trafikut edhe në të kaluarën ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh qysh prej vitit 2005, duke dhënë ligjërata të tilla me nxënës fillestar”, tha ai.

Ndryshe, ky projekt i dedikohet fëmijëve të grupmoshës 6-12 vjeç. /Telegrafi/

Exit mobile version