Site icon Telegrafi

Lansohet Projekti “HERAS Plus” që synon mbështetjen e Arsimit të Lartë në Kosovë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) në bashkëpunim me Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), nën përkujdesje të Ambasadorit Austriak në Kosovë Christoph Weidinger dhe Ministrit të MASh, Ramë Likaj, kanë bërë lansimin zyrtar të Projektit “HERAS Plus”.

Sipas një njoftimi për media, projekti synon që brenda 3 viteve në vijim (2020-2023) të mbështesë zhvillimin e arsimit të lartë dhe hulumtimit shkencor, si dhe zhvillimin  shkencave të aplikuara në Kosovë në harmoni me standardet evropiane siç janë ato të Zonës Evropiane e Arsimit të Lartë (EHEA) dhe Zonës Evropiane të Hulumtimeve Shkencore (ERA).

Tutje në njoftim thuhet se ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në fjalën e tij, theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e përkushtuar të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë donatorët ndërkombëtarë të specializuar në fushën e arsimit dhe shkencës, e në veçanti me donatorët nga Republika e Austrisë. Gjithashtu, ai konstatoi se Projekti i përbashkët “HERAS Plus”, është një platformë ideale përmes së cilës mund të jetësohen ndërhyrjet e nevojshme zhvillimore në sistemin e Arsimit të Lartë, Hulumtimit Shkencor dhe Shkencave të Aplikuara, duke përfituar nga praktikat më të mira austriake në këtë fushë.

Në anën tjetër, ambasadori austriak në Kosovë, Christoph Weidinger, theksoi se Austria është donatori dhe mbështetësi kryesor i Kosovës në fushën e arsimit të lartë.

Tutje sipas njoftimit thuhet se ambasadori austriak vlerësoi se të rinjtë janë pasuria kryesore e Kosovës, prandaj, investimi në arsim është një investim i sigurt në të rinjtë e Kosovës.

“Së bashku me MASh kemi për të punuar dhe po punojmë që të zbatojmë reformat e nevojshme që ta bëjmë sistemin e arsimit në Kosovë më modern, më konkurrues  dhe më funksional, si dhe i harmonizuar me standardet evropiane”, tha ai.

Ai vlerësoi se projekti “HERAS Plus”, është një mekanizëm i përshtatshëm për të arritur këto synime.

Gjatë konferencës u konstatua se arsimi i lartë, hulumtimi shkencor dhe shkencat e aplikuara paraqesin fusha me rëndësi për MASh. Këto fusha në mënyrë të drejtpërdrejtë reflektojnë në zhvillimin dhe ecjen e përgjithshme të Kosovës si shtet drejt familjes së shteteve evropiane, si dhe ecjen e shoqërisë dhe ekonomisë kosovare drejt shoqërisë dhe ekonomisë evropiane.

“Prandaj, MASh tregon gatishmëri dhe përkushtim të plotë që të avancojë qeverisjen në këto fusha me qëllim fuqizimin e përgjithshëm të arsimit dhe shkencës në Kosovë, por edhe harmonizimin me standardet evropiane”, thuhet në njoftim.

MASh e vlerëson shumë lartë mbështetjen e ofruar nga Austria, përfshirë fondet e ndara nga ADA, si dhe ekspertizën dhe asistencën teknike të ofruar nga tri organizatat e specializuara Austriake, WUS Austria, ZSI dhe OeAD, të cilat bashkërisht e implementojnë Projektin “HERAS Plus”. Prandaj, MASh është angazhuar si bashkëfinancues i Projektit, i cili ka vlerën 2.8 milion euro. /Telegrafi/

Exit mobile version