Site icon Telegrafi

Lansohet Pakti Evropian për Rininë që synon mundësi të reja punësimi

Sot është Lansuar Pakti Evropian për Rininë nga Rrjeti i Kosovës për Përgjegjësi Shoqërore Korporative, nën Patronatin e Lartë të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe me mbështetje nga CSR Europe, si dhe nga Ministritë e Arsimit dhe Punës e Mirëqenies Sociale, përfaqësuesve të lartë të sektorit publik, privat dhe shoqërisë civile në Kosovë. Me këtë rast Kosova bëhet shteti i parë pas 28 Shteteve Anëtare të BE-së, që lanson këtë Pakt dhe pranon zotimet e përfshira në të.

Pakti Evropian për Rininë ka për synim ndërtimin e partneriteteve mes sektorit publik, sektorit privat dhe rinisë, në mënyrë që bashkërisht të punojmë drejt krijimit të mundësive të reja për punësim dhe përfitim të shktathtësive për të rinjtë. Përmes Paktit, palët zotohen se bashkërisht do të angazhohen për të krijuar mundësi të reja për punë praktike, trajnime, zanatësi dhe punësim direkt për të rinjtë.

Jacques Spelkens nga CSR Europe, tregoi se edhe vendet anëtare të BE-së kanë probleme të ngjashme me Kosovën në raport me papunësinë e të rinjve dhe nevojat për ko-elaborim mes sektorit publik dhe atij privat. Ai foli për rëndësinë e veçantë që Pakti ka për Kosovën për shkak të demografisë që në shumicë përbëhet nga rinia, dhe po ashtu mirëpriti faktin që Kosova menjëherë është bashkuar me vendet anëtare të BE-së në këtë zotim kaq të rëndësishëm.

Ndërsa ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tregoi për rëndësinë që sektori privat të involvohet në hartim të kurrikulave dhe që sektori i arsimit të harmonizohet me nevojat e tregut të punës.

Pas përfundimit të fjalimeve, Pakti Evropian për Rininë formalisht u nënshkrua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kryetari, drejtori dhe anëtarët e Bordit të CSR Kosova dhe po ashtu nga kompanitë anëtare të Rrjetit, kompanitë mbështetëse jo-anëtare, përfaqësuesit e institucioneve, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë. /Telegrafi/

Exit mobile version