Në një konferencë për media nga Federata e Basketbollit e Kosovës është lansuar sot edhe zyrtarisht projekti shumë i rëndësishëm Safeguarding dhe Future i fituar në kuadër të programeve të Erasmus +.
Në konferencë është folur për rëndësinë e këtij projekti dhe implementimin e tij.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu deklaroi se, “Jemi shumë të lumtur se, para jush po e inaugurojmë fillimin e këtij projekti. Projekti i parë i fituar nga FBK si udhëheqëse në Erasmus + me partnere Federatën Bullgare dhe Estoneze. Një ambient, ku lojtarët dhe lojtaret do të ndihen të sigurt, në një perspektivë të qartë të asaj se çka do të thotë të bëhesh basketbollistë/e apo të jesh në sport në përgjithësi”, është shprehur Fetahu.
Ndërkohë, Ismet Krasniqi, President i KOK-ut ka lavdëruar edhe punën e FBK-së: “Sot dëshiroj të veçoj në veçanti dhe të vlerësoj punën e jashtëzakonshme të kësaj Federatës së Basketbollit të Kosovës. Është një shembull i dalluar i përkushtimit dhe profesionalizimit në zhvillimin e sportit në vendit tonë”, theksoi Krasniqi.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka folur për implementimin e këtij projekti. “Unë do të flas vetëm për mënyrën se si do të implementohet projekti Safeguarding the Future në 18 muajt e ardhshëm. Projekti është i ndarë në pesë Paketa të Punës dhe të gjitha këto do të udhëhiqen nga Federata e Basketbollit e Kosovës, me dy federatat, të Bullgarisë dhe Estonisë, si dhe Shoqatën e Trajnerëve të Kosovës. Ky projekt do të zgjasë 18 muaj, duke filluar nga janari 2024 deri në qershor 2025”, u shpreh ndër të tjera Dushku.
Ndërkohë, Mimika Dobroshi, përfaqësuese e Erasmus-it në Kosovë theksoi se, tani për projekte janë hapur dyert edhe për sportin: “Prej vitit 2021, Programi Erasmus + në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor e ka hapur një mundësi, ku edhe komuniteti i sportit mund të jetë përfitues i projekteve si partner dhe koordinator në pjesën e veprimeve, që quhet ngritja e kapaciteteve në fushën e sportit”.
Qëllimi kryesor i projektit është të ndërmarrë veprime për të mbrojtur njerëzit nga çdo lloj abuzimi në basketboll. Për ta bërë këtë, projekti do të krijojë sisteme mbrojtëse për të gjitha federatat kombëtare të basketbollit, në Kosovë, Estoni dhe Bullgari.
Sot po ashtu është organizuar Punëtoria e Parë në mes përfaqësuesve të Federatave Nacionale që janë pjesë e projektit, ku janë shpalosur të gjitha Paketat e Punës në kuadër të këtij projekti.