Telegrafi

Lansohet Internet Explorer 9

Programi është prezantuar në kohën kur pjesëmarrja e Microsoftit në treg po zvogëlohet nën ndikimin e popullaritetit të produkteve të konkurruesve- njofton BBC. Kompania, njëherit është nën presion edhe në sferën e produkteve, siç janë telefonat celularë dhe tabletat.

Microsoft pohon se njëra nga karakteristikat kryesore të Explorerit të ri është ruajtja e përdoruesve nga ‘ndjekja’ derisa po kalojnë nga një faqe interneti në një tjetër. Këto informata shpesh mblidhen për shkak të kompanive komerciale, të cilat në bazë të tyre, përdoruesit të internetit i ofrojnë reklama specifike.

IE9 ka ‘pajisje’ të ndara për marrjen e përmbajtjes nga rrjeti botëror, që ka kujdes nga prania e viruseve dhe trojanëve. Exploreri i gjeneratës së nëntë, sipas nevojës, mund të kërkojë ndihmë nga kartela grafike e kompjuterit që shfaqja e ndonjë faqe të internetit të jetë më në detaje.

Analistët vlerësojnë se rreth 56 për qind e përdoruesve të Internetit e shfrytëzojnë Explorerin, 22 për qind e tyre shfrytëzojnë Firefoxin, ndërsa gjashtë për qind shfrytëzojnë Safarin.

Internet Explorerin e ri mund ta shkarkoni këtu. /Telegrafi/