Telegrafi

Lansohet episodi i ri i Schengen Visa, “Schengentina”

Izolimi në shtëpitë e tyre ka filluar t’i bëjë të çuditshëm pjesëtarët e ambasadës, të cilët edhe pse të mbyllur, vazhdojnë të komunikojnë, me gjithë problemet e tyre.

Episodi i ri i “Schengen Visa” i gjen personazhet e dashura të këtij seriali, të ngujuar në shtëpi. Të gjithë përveç Nëntorit, i cili nga episodi i kaluar është i ngujuar në ambasadë, pasi që axha i tij e ka lënë të vetëm.

Ai ka filluar të flasë me vetën nga mërzia e uria. Telefonon Xhejmsin, i cili nga shtëpia mundohet t’i bëjë zgjidhje e t’i sjellë ushqim në ambasadë.

Tentativat e Xhejmsit për të dërguar njërin nga pjesëtarët e ambasadës dështojnë. Ai telefonon të gjithë me rend, por asnjëri nuk dëshiron të largohet nga izolimi. Basria është te e dashura e re Nora, Ibra nuk guxon të lëvizë nga Lulja, e kështu me radhë.

Dikur, Xhejmsi vendos që vet të marrë përsipër dërgesën e ushqimit në ambasadë, ku Nëntori ka filluar të humbë kontrollin nga mërzia. Ndërsa Nëntori, nga habia e të gjithëve, telefonon Lirijen dhe i kërkon falje që është sjellë keq me të gjatë gjithë kësaj kohe.

Seriali “Schengen Visa”, këtë episod e ka titullin “Schengentina”, apo ajo çfarë nxjerrim nga Schengeni dhe karantina. Edhe pse në kohë të vështirë për të prodhuar serial, përkushtimi i ekipit prodhues ka bërë që të vazhdohet ky serial i dashur, e të mos ndërpritet humori dhe ndodhitë qesharake, të vlerësuara lartë nga publiku.

Episodin e ri “Schengentina” të serialit “Schengen Visa” mund ta ndiqni më poshtë.