Makina për të gjitha terrenet, me fuqi të madhe dhe shumë stil
Si pasardhësi i një prej makinave më të mira për të gjitha terrenet, Land Rover Defender është dashur të jetë i përkryer në të gjitha aspektet, transmeton Telegrafi.
Pas shumë imazheve të shfaqura nga prodhuesi, si dhe teksa shihej duke u testuar në mbi 100 mijë kilometra rrugë nga më të ndryshmet, si dhe dokumenteve të rrjedhura, Defender më në fund u prezantua në tërësi.
Nga jashtë, Defender tërësisht i ri, ka formën katrore sikur modeli i mëparshëm, sipërfaqe të rrafshëta dhe grill të ngushtë. Dizajnerët i kanë dhënë këtij modeli, një stil që ia bën paraqitjen edhe më të mirë, me një panel xhami në tavan, drita LED mbi xhamin e përparmë dhe shtesën përjashta për gomën rezervë.
“Kemi krijuar një Defender të ri, që është i gatshëm për kudo, me dizajn që është frymëzuar nga i vjetri dhe jo i detyruar nga ai. Grilli është elementar, sipërfaqet janë të sofistikuara dhe pozita komanduese i japë një dallim nga modelet e këtij lloji” ka thënë shefi i dizajnit në Land Rover, Gerry McGovern.
Modeli bazë i Defender, do të ketë motor 2.0 që prodhon 296 kuaj fuqi, duke i mundësuar që shpejtësinë nga zero deri në 100 kilometra në orë, ta zë për 7.7 sekonda, derisa ka shpejtësi maksimale prej 190 kilometrave në orë. Hibridi vjen me motor 3.0 litra dhe një tjetër elektrik 48 volt, që së bashku prodhojnë 395 kuaj fuqi, duke bërë që shpejtësinë nga zero deri në 100 kilometra në orë, ta arrijë për 5.8 sekonda.
Të interesuarit për modelin bazë të Land Rover Defender, duhet të paguajnë duke filluar nga 45 mijë euro, derisa 56 mijë euro, duhet paguar nëse kërkohet pako e plotë, që është shumë më e mirë. /Telegrafi/