Site icon Telegrafi

Land Rover Defender-ët e ushtrisë britanike u shndërruan në versione elektrike si provë njëvjeçare

Ushtria britanike ka rekrutuar një firmë inxhinierike të mbrojtjes dhe një start-up të veturave elektrike për të konvertuar 4 Land Rover Defender në vetura me fuqi elektrike – duke testuar kështu teknologjinë përpara se forcat e armatosura të heqin dorë nga benzina dhe nafta duke filluar nga viti 2030.

Firma inxhinierike e mbrojtjes, Babcock, është kontraktuar nga Ministria e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar për të ri-konstruktuar 4 Land Rover Defender me specifika ushtarake në vetura me motor dhe bateri elektrike, me procesin i cili do të kryhet nga kompania specialiste e konvertimit, Electrogenic.

Sipas Babcock, kontrata njëvjeçare iu dha kompanive për të “ndihmuar ushtrinë britanike të kuptojë përfitimet dhe kufizimet e shtytjes elektrike”, përpara tranzicionit të planifikuar në automjetet elektrike nga viti 2030, raporton Drive, transmeton Telegrafi.

Katër Land Rover Defender – të cilët janë aktualisht në shërbim të Ushtrisë Britanike si dy vetura për mbrojtje dhe dy për shërbime të përgjithshme – do të vlerësohen nga Njësia e provave dhe zhvillimit të blinduar (ATDU) në ‘skenarët e fushëbetejës’ për të përcaktuar qëndrueshmërinë e përdorimit të veturave me motor elektrik në situata luftarake.

Në një deklaratë për media, Electrogenic njoftoi se motori me naftë i Defender do të zëvendësohet nga një motor elektrik 150 kW – nga kompleti i tij i konvertimit “E90” i bërë me porosi – i cili shoqërohet me kutinë ekzistuese të transferimit, duke i lejuar makinës jashtë rrugës të ruajë aftësitë me katër rrota.

Electrogenic pretendon se Land Rover Defender elektrik mund të arrijë më shumë se 240 kilometra rreze të vozitjes për shkak të paketës së baterisë 93kWh, ndërsa më shumë se 900 njuton metër fuqi rrotulluese i jepet kutisë së transferimit. /Telegrafi/

Exit mobile version