Telegrafi

Lamtumirë uri!

Të hash mirë? Sipas ekspertëve të dietologjisë, nuk ka gjë më të thjeshtë. Mjafton të respektosh oraret e vakteve, mos përtypësh shpifurina dhe të përshtatësh kaloritë me stilin tënd të jetës. Por me gjithë dëshirën tënde të madhe për ta bërë, nuk ia del dot. Sepse uria të bën gjithmonë pritë.

Ja pse vrapon drejt zgjidhjeve kompensuese: një javë të tërë me biftek dhe sallatë, kapërcimi i famshëm i vakteve…të gjitha janë tmerre dietetike që duhen harruar, nëse do që të bësh paqe me oreksin dhe linjën tënde. Po si ta njohësh urinë reale nga ato të tjerat që të kushtëzojnë jetën? Ja sipas revistës Shije situatat e rrezikshme dhe truket për t’iu rezistuar.

KE FJETUR SHUMË PAK SOT
Shumë studime kanë treguar se nëse pushon pak (më pak se pesë orë) ke më shumë uri. Faj i çekuilibrimit mes dy hormoneve: grelinës, që rrit oreksin, dhe leptinës, që e frenon. Nëse fle pak ke 15% më shumë grelinë dhe 15% më shumë leptinë. Truri yt i përgjigjet pozitivisht kërkesës për ushqim edhe pse nuk ke nevojë për të.

Ha mëngjes të bollshëm. Duke qenë se pushimi është i lidhur me metabolizmin energjetik, do ishte mirë të flije aq orë sa i duhen trupit tënd. Por në rastet kur netët e verës të imponojnë një natë të çmendur në festat buzë detit, atëherë është e ndaluar që mëngjesi të kapërcehet. Efekti bumerang është i sigurt. Fillo ditën me një vakt të pasur me bazë kosi ose qumështi dhe bukë të thekur me marmelatë , për t’i dhënë organizmit ushqyesit për të cilët ka nevojë për ta nisur ditën vrullshëm. Mos ki frikë nga kaloritë: ato që merren në mëngjes nuk transformohen në yndyrë por vetëm në energji!

JE SHUMË E STRESUAR
Ke uri sepse nëse je e tendosur e detyron organizmin që të prodhojë shumë kortiozol. Ky hormon, i nevojshëm për të përballuar situatat psikofizike kritike, ka dy efekte: stimulon urinë nervoze dhe depoziton yndyrën e në zonën e barkut. Pastaj, sipas studimeve, kur nën stres asimilon pothuajse dyfishin e kalorive. Të hash kur je nervoze, ka një efekt të menjëhershëm qetësues, por ky efekt zgjat pak dhe fillon një rreth vicioz nga i cili është i vështirë të dalësh.

Ha pak dhe shpesh. Për të mbajtur nën kontroll kortizolin, mos rri shumë orë pa ngrënë: konsumo vakte të vogla dhe të shpeshta (pse ose më shumë në ditë). Dhe shto një dozë të vogël karbohidratesh komplekse me tregues të vogël glikemie, si tërshëra dhe drithërat integrale: shmangin kulmet e insulinës dhe stimulojnë serotoninën, që të qetëson. Për të rritur momentet e acaruara kontribuon edhe mungesa e hekurit, selenit dhe acidit folik. I gjen tek mishi, peshku (sidomos koce), bishtajoret, vezët, sallamet krudo, angjinaret, shpargujt, qiqrat dhe bizelet.

SAPO KE NGRËNË, POR PRAPË KE URI
Nëse kanë kaluar më shumë se dy orë që kur ke ngrënë diçka, nuk mund të jetë uri e vërtetë: stomaku është akoma i angazhuar në tretje dhe sheqeri në qarkullim është i lartë. Ajo që po ndjen është thjesht dëshirë për “diçka tjetër”: një kapriçioz, një mjet kundër vetmisë ose mërzisë apo për të mbushur një vrimë në stomak. Ushqimi në këtë rast bëhet zëvendësuesi i një nevoje më të thellë. Kujdes me ëmbëlsirat: mund të kthehen në drogë. Të bëjnë mirë për humorin, por kur sheqeri në gjak rritet, trupi kërkon një injeksion të ri ëmbëlsie. Qetësoje dëshirën për të ëmbla me fruta, kos ose me një krem karamele masazh. Truri yt do të fillojë të prodhojë endorfina, substanca natyrale që rrisin ndjesinë e të ndjerit mirë, duke të larguar nga dëshira e pajustifikuar për të ngrënë.

Bëj diçka që të pëlqen. Zbulo se cila është gjendja shpirtërore që të detyron të gjesh ngushëllim tek ushqimi. Dhe përgjigju thirrjes tënde të brendshme me një emocion që të jep kënaqësi dhe nuk përfshin të ngrënën: luaj me qenin, telefonoji një mikeshe të dashur ose dil nga shtëpia dhe hidh një sy jashtë: ka njerëz që kanë më shumë probleme se ty. Bli diçka të këndshme ose shko bëj një

NDIHESH PËRTOKË
Ke uri sepse ndoshta ke një stil jete superaktive dhe nuk merr dozën e nevojshme të ushqimit ose nuk e shpërndan njëlloj gjatë ditës. Ndoshta kapërcen vaktet ose ndjek kënaqësitë e gojës dhe jo ato për të cilat ka trupi nevojë. Uria e papritur është spiunia që të tregon se trupi yt është në rrezik.

Merr shtesa. Fillo të pish ca vitamina B, të nevojshme për transformimin korrekt të ushqimit në energji. Asnjë rrezik mbidoze: janë të tretshme dhe tepricat eliminohen. Menyja jote duhet të përfshijë në çdo vakt 40 për qind sheqerna, 30 për qind proteina dhe 30 për qind yndyra. Ky është kombinimi fitues për një vitalitet maksimal psikofizik.

VUAN NGA SINDROMI PARAMENSTRUAL
Ke uri sepse para menstruacioneve reduktohet në mënyrë drastike prodhimi cerebral i substancave që rregullojnë tonin e humorit, si serotonina ose dopamina. Rënia në pikiatë e hormoneve shkakton një çekuilibrim real psikofizik. Tendenca për të parë gjithçka të errët dhe dëshira e çmendur për të ëmbla je karbohidrate janë pasojë e kësaj periudhe të përkohshme stuhie.

Gjej shpëtim tek drithërat. Në çdo vakt konsumo ushqim me bazë drithërash, sidomos ato integrale. Kërkojnë kohë për t’u asimiluar, stabilizojnë glikeminë, duke ndaluar dëshirën për të ëmbla. Shto konsumin e bananeve, domateve, arrave, ananasit dhe kumbullave, burime natyrale të serotoninës, me efekt qetësues. Për të rritur çlirimin e endorfinave, të nevojshme kundër urisë emotive dhe dhimbjeve, mund të të vijë në ndihmë një gotë verë në ditë.

JE PA HUMOR
Ke uri sepse humori përtokë mund të ketë shkaqe funksionale si mungesa e hekurit, magnezit, vitaminave dhe yndyrave esenciale, që e çorientojnë sistemin nervor. Kjo ndodh nëse ha në mënyrë të çekuilibruar. Ky zakon mund t’i bëjë edhe më të pakapërcyeshme vështirësitë dhe problemet e përditshme. Uria është sinjali që organizmi yt po të dërgon, duke të lajmëruar se të mungojnë ca ushqyes të rëndësishëm.

Fruta dhe perime me shumicë. Një porcion perimesh çdo vakt dhe dy fruta në ditë janë të domosdoshme për t’u furnizuar me makronutrientë, që nuk i ke marrë në dozat e duhura. Ha fruta të thata midis vakteve, si arra ose bajame: përmbajnë omega 3, që ndikon në mënyrë efikase tek humori i zi. Mos harro peshkun tre herë në javë.
Me vitaminën C të domateve, kalo stresin dhe… shih dritë. /Telegrafi/