Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar të sigurisë, ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, theksoi se 10 milionë euro janë shumë e konsiderueshme për buxhetin e mbrojtjes.
Ajo paralajmëroi pesëmijë pushkët automatike të reja nga Italia, me të cilat mbyllet cikli me armatim të standardit të NATO-s.
Një tjetër donacion nga Qeveria amerikane pritet të arrijë vitin e ardhshëm, kur janë parashikuar të vijnë 250 mjete ushtarake të blinduara.
“Do të lidhim një kontratë me Forcat e Armatosura të SHBA për suportin total të 250 mjeteve të blinduara, me dërgesën e parë që do të fillojë të dërgohet në janar”, saktësoi Kodheli.
Shqipëria është ndër vendet që nuk e plotëson kushtin e Aleancës për shpenzim të dy për qind të buxhetit kombëtar për ushtrinë, megjithë rritjen e rrogave për ushtarakët. Buxheti do të ulet me 0.1 për qind vitin e ardhshëm, por këto dy donacione, sipas Qeverisë, do ta balancojnë atë, raporton TCH.