Site icon Telegrafi

Lamtumirë Adem

Nga: Lekë Musolli

A dëgjove se paska ikur, i paska dhënë fund skenës, aktori ynë i mirënjohur e aktori i të gjithëve, Adem Mikullovci.

I paska dhënë fund aktrimit e politikës.

I ka thënë apo jo lamtumirë Mitrovicës e Kosovës.

U ka thënë lamtumirë shokëve e miqve të shumtë anembanë vendit.

Dërrasave të Teatrit tonë nga sot do t’ju mungoi mjeshtri i skenës e aktori gjithmonë i mirëpritur nga publiku, Adem Mikullovci, më të cilin më lidhin kujtime të shumta në Radio Prishtinën e dikurshme ku, Ademi, bashkë më aktorë të tjerë ishin pjesë e saj. Sepse, që nga vitet e ‘70-ta të shekullit të kaluar, në radion tonë të famshme, nëpërmjet emisioneve të ndryshme aktuale politike e humoristike, mbëltohej liria për të mendua e dëshira për arsim e civilizim; mbëltohej mendimi politik. Ndërkaq, në një periudhë tjetër kohore, aty u punua shumë për ndërtimin e koncepteve politike për demokraci e liri politike të shqiptarëve të Kosovës. Këtu rol të rëndësishëm kishin edhe aktorët e Kosovës sepse, ata, nëpërmjet emisioneve, sidomos atyre humoristike, përçonin tek audienca mesazhe domethënëse për kohën e hapësirën ku ne jetonim.

Dëshiroj tua përkujtoj, sepse mbase edhe mund ta keni harruar fundin e viteve 1980 e fillimin e vite 1990, kur Adem Mikullovci e kolegët e tij deputetë të Kuvendit të Kosovës bënë historinë e Kosovës duke e shpallë Deklaratën e Pavarësisë më të cilën zyrtarisht Kosova paralajmëroi largimin nga Jugosllavia terroriste. Dihet, delegatët e atij Kuvendi, pas shpalljes të Kushtetutës të Republikës së Kosovës me 7 shtator të vitit 1990, u larguan nga Kosova dhe u strehuan në Slloveni e Kroaci, ndërkohë që disa nga ta, kohë pas kohe, ilegalisht ktheheshin në Kosovë, siç ishte rasti me Adem Mikullovcin i cili pasi kishte qëndruar pak ditë te familja, niset për në Zagreb e arrestohet nga policia në Beograd. Pasi i ngritet aktakuza, Ademi lirohet dhe kthehet në Prishtinë ku vazhdon punën si aktor e regjisor i disa serialeve e filmave dokumentarë.

Ademin më vonë e shohim deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në një rast kur i thash çka t’u dashtë të bëhesh deputet, ai ma tregoi një bisedë në formë barsolete se si një fshatar i kërkon Shaban Polluzhës ta marr në brigadë e Shabani, duke e pa se ishte hall-ligë i thotë hajde edhe ti se s’bahet ma bërllok se sa është. Prandaj, vazhdoi Ademi, më humorin që kishte, edhe unë ja bëra si ai luftëtari dhe hyra në Kuvend i bindur se nuk bëhet ma keq.

Adem Mikullovci gjatë do të jetë pjesë në mbamendjen tonë.

Tokën e lehtë e pushoftë në paqe!

Exit mobile version