Telegrafi

Lamtumira e Ronaldos nga Juventusi, portugezi ndodhet në qendrën stërvitore duke u përshëndetur me shokët e skuadrës

Cristiano Ronaldo ka mbërritur në qendrën stërvitore të Juventusit, ku është duke u përshëndetur me bashkëlojtarët.

Ylli portugez ka vendosur përfundimisht të largohet nga Juventusi pas tri viteve qëndrim.

36-vjeçari arriti në qendrën stërvitore Continassa të Juventusit në ora 9:20 ku ende po qëndron aty.

Ronaldo nuk do të stërvitet sot me skuadrën, pasi arritja e tij në Continassa është vetëm për tu përshëndetur me bashkëlojtarët.

Gjithashtu jashtë qendrës stërvitore të Juventusit janë një numër i tifozëve që po presin të mësojnë më shumë rreth të ardhmes së numrit shtatë.

Ish-anëtari i Real Madridit e ka vendosur që të largohet nga Zonja e Vjetër për t’iu bashkuar kampionëve në fuqi të Anglisë, Manchester City.

Marrëveshja mes klubit anglez dhe Ronaldos tanimë është arritur, ku portugezi do të fitojë një pagë javore prej 510 mijë funteve.

Sulmuesi portugez tanimë ka zbrazur edhe dollapin e tij te Juventus duke marrë të gjitha gjërat.

Transferimi i tij në Etihad Stadium pritet të kompletohet brenda 24 orëve të ardhshme. /Telegrafi/