Jose Mourinho kishte deklaruar vite më parë se nuk do ta marrë kurrë drejtimin e Tottenham Hotspur.
Por tekniku portugez ka thyer fjalën e dhënë tifozëve të Chelseat dhe ditë më parë është emëruar shef i shtabit teknik tek skuadra londineze.
Tani trajneri aktual i Chelseat, Frank Lampard është pyetur nëse një ditë do ta drejtojë skuadrën rivale Tottenham Hotspur.
Tekniku anglez ka thënë se e respekton Mourinhon, por nuk do ta drejtojë kurrë rivalin lokal Spurs.
“Unë mund të them me siguri absolute se nuk do ta drejtojë kurrë Tottenhamin edhe pse mund të mos kem kurrë ofertë nga ta”.
“Kam respekt për Mourinhon dhe mendoj se pozitat tona janë të ndryshme, pasi unë kam luajtur 13 vite te Chelsea”, tha Lampard.
Lampard u kthye për të folur edhe për fundin e karrierës së tij, që e përfundoi te Manchester City.
“Unë erdha te City për vetëm një vit dhe kjo nuk ishte ndonjë problem. Chelsea është diçka speciale për mua dhe jam i nderuar që jam trajner këtu. Kjo është arsyeja që mund të them me plot bindje se nuk do t’i drejtojë kurrë Spurs”, përfundoi Lampard. /Telegrafi/