Telegrafi

Lampard e nderoi tifozin e Evertonit duke e futur në lojë për të gjuajtur një penallti, i gjithë stadiumi në këmbë për të – trajneri anglez kishte një arsye të veçantë pse i dha atij minuta

Evertoni ka zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën ukrainase Dynamo Kiev në Goodison Park.

Skuadra angleze ka fituar me rezultat të thellë 4-0, por goli i katërt ka qenë më i veçanti në këtë sfidë.

Kur ishin duke u luajtur minutat e fundit të ndeshjes të gjithë u befasuan me zëvendësimin që bëri trajneri Frank Lampard.

Tifozi i Evertonit, Paul Stratton ishte veshur me uniformën e klubit dhe po futej në lojë në vend të Dele Alli dhe në atë moment gjyqtari kryesor akordoi një penallti për klubin anglez.

Lampard po i jepte instruksionet e fundit tifozit i cili do të futej për ta gjuajtur penalltinë e akorduar nga gjyqtari kryesor.

Paul Stratton shënoi gol nga pika e bardhë, derisa stadiumi shpërtheu në festë për të, derisa tifozi u ul në gjunjë duke festuar dhe duke puthur stemën e klubit.

Kishte një arsyeje të veçantë për këtë

Paul Stratton është një tifoz i vjetër i Evertonit, por në fillimet e luftës në Ukrainë ai kishte shkuar si vullnetar për ta ndihmuar popullin ukrainas.

Anglezi është një ish-oficer i policisë dhe së bashku me disa ish-koleg të tij qëndroi për disa ditë në kufirin Poloni-Ukrainë duke i ndihmuar refugjatët ukrainas për tu larguar nga lufta.

Ndeshja mes Evertonit dhe Dynamo Kiev ishte bamirëse dhe ishte momenti i duhur që klubi anglez ta nderoi tifozin e tyre që bëri një punë të madhe në ndihmë të popullit ukrainas.

Gjithsesi ishte një gjest i bukur nga trajneri Frank Lampard dhe befasoi shumë gjithë të pranishmit në Goodison Park.

Të gjitha të hyrat nga kjo ndeshje do të shkojnë në ndihmë të popullit ukrainas, ndërsa sa i përket tifozin Stratton, ai bëri realitet një ëndërr të tij për të shënuar në Goodison Park. /Telegrafi/