Lamine Yamal është vetëm 17 vjeç dhe ende nuk e ka mbushur moshën madhore, gjë që do ta bëjë më 13 korrik.
Megjithatë, ai është një hap larg arritjes së 100 ndeshjeve në elitën e futbollit mes Barcelonës dhe ekipit të seniorëve të Spanjës.
Të hënën, në përballjen kundër Rayo Vallecanos, nëse luan, ai do të vazhdojë të shkruajë historinë si një nga talentet më premtuese të futbollit.
Yamal debutoi me ekipin e parë të Barcelonës në sezonin 2022/23, kur luajti vetëm shtatë minuta kundër Real Betisit.
Ishte Xavi Hernández ai që i dha mundësinë e parë. Në sezonin 2023/24, ai shkëlqeu dhe theu rekorde të panumërta.
Në atë fushatë, ai luajti 50 ndeshje: 37 në La Liga, 10 në Ligën e Kampionëve, 1 në Kupën e Mbretit dhe 2 në Superkupën e Spanjës.
Këtë sezon, me Hansi Flick si trajner, ai mbetet titullar i padiskutueshëm.
Në total, Lamine Yamal ka luajtur 99 ndeshje profesionale, duke shënuar 18 gola dhe duke dhënë 22 asistime. Pothuajse të gjitha këto statistika janë arritur këtë sezon, ku ai ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar 15 herë.
Megjithëse klubet e mëdha evropiane po e ndjekin nga afër, ai e ka bërë të qartë se e ardhmja e tij është te Barcelona.
“Lamine Yamal ka cilësitë për të shënuar gola”, deklaroi Flick, duke e cilësuar atë si një talent të jashtëzakonshëm që sjell ndryshimin në skuadër.
Paraqitjet e tij të madha me Barcelonën e çuan atë edhe në ekipin kombëtar spanjoll, ku debutoi më 9 shtator 2023, në moshën 16 vjeç e një muaj. Në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, ai arriti të shënojë një gol.
Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, e ka quajtur atë “i prekur nga shkopi i Zotit”, duke e vlerësuar talentin e tij të jashtëzakonshëm.
Me kombëtaren spanjolle, ai ka zhvilluar 17 ndeshje deri më tani: 7 në Kampionatin Evropian, 4 në kualifikueset e Evropianit, 3 në Ligën e Kombeve dhe 3 miqësore.
Nëse luan kundër Rayo Vallecanos, ai do të arrijë ndeshjen e tij të 100-të në elitë, një sukses i jashtëzakonshëm për një 17-vjeçar, duke treguar se karriera e tij është vetëm në fillim. /Telegrafi/