Që prej se u bë pjesë e ekipit të parë të Barcelonës, Lamine Yamal është përdorur më së shumti si opsion nga banka rezervë dhe nuk ka startuar në një ndeshje të ligës për më shumë se një muaj.
Në fakt, hera e fundit kur sensacioni spanjoll e nisi nga minuta e parë një ndeshje në La Liga për Barcelonën, ka qenë në barazimin me rezultat 1-1 ndaj Rayo Vallecanos më 25 nëntor.
Siç raporton mediumi spanjoll Sport, 16-vjeçari tani pritet që të marrë më shumë minuta në pjesën e dytë të sezonit.
Kjo për shkak të telasheve të mëdha me lëndime në ekipin e Xavit, veçanërisht për faktin se Raphinha është jashtë fushave.
Ani pse Yamal ka bërë 27 paraqitje këtë sezon, ai është aktivizuar në vetëm 1,186 minuta lojë dhe tani do të synojë që të përmirësojë këtë shifër.
Adoleshenti spanjoll u bë golashënuesi më i ri në histori të Superkupës së Spanjës me golin e shënuar ndaj Osasunës më herët gjatë këtij muaji, ndërsa ka dy gola dhe katër asistime në të gjitha garat deri më tash këtë sezon.
Barcelona sot (e diel) luan në udhëtim ndaj Real Betisit dhe me shumë mundësi Lamine Yamal do të marrë minuta nga tekniku spanjoll Xavi./Telegrafi/