Site icon Telegrafi

Lamborghini do të prodhojë 15 kopje shtesë të Aventador për shkak të zjarrit në anijen e ngarkesave

Lamborghini do të rifillojë prodhimin e Aventador për të kompensuar ekzemplarët e humbur në zjarrin dhe fundosjen e anijes së ngarkesave.

Ai që konsiderohej si skenar i mundshëm tashmë ka marrë konfirmimin zyrtar, pasi Lamborghini ka njoftuar se do të rifillojë prodhimin e modelit Aventador për të zëvendësuar 15 veturat nga seria Ultimae që u dogjën dhe u fundosën së bashku me anijen e mallrave Felicity Ace.

Bëhet fjalë për një anije që transportonte më shumë se 4000 automjete nga Volkswagen Group, e cila mori flakë teksa lundronte në Oqeanin Atlantik. Pavarësisht përpjekjeve të shpëtimit, zjarri u përhap dhe anija përfundimisht u mbyt dhe përfundoi në fund të oqeanit. Në bord kishte 85 vetura Lamborghini, shumica e të cilave ishin shembuj të Urus SUV.

Megjithatë, anija mbante gjithashtu 15 kopje të Aventador. dhe CEO i Lamborghini, Stephan Winkelmann konfirmoi se kompania do të rifillonte prodhimin e super veturës me fuqi V12 për të kompensuar humbjet. Kopjet e humbura të Aventador Ultimae ishin rrugës për klientët e tyre në SHBA.

Makinat e mbetura të humbura i përkasin modeleve që janë ende në prodhim, kështu që Lamborghini nuk do të ketë shumë probleme për t’i zëvendësuar ato.

Lexo po ashtu Fundoset anija që po transportonte mijëra makina luksoze – rreth dy javë pasi u përfshi nga flakët

Nuk dihet ende nëse rifillimi i prodhimit të Aventador do të vonojë prezantimin e pasuesit të tij. Makina e re hibride V12 është në fazën përfundimtare të testimit.

Anija Felicity Ace mbante një sërë makinash, me një vlerë totale prej rreth 401 milionë dollarë. /Telegrafi/

Exit mobile version