Në Lamborghini kanë arsye të fortë që të shënojnë dhe festojnë ditëlindjen e katërt të modelit Urus, pasi që ky SUV me performancë të lartë tashmë ka gjetur rrugën deri te 16 mijë blerës.
Lamborghini prodhimin serik të Urus e kishte prezantuar më 4 dhjetor të vitit 2017, e me shënimin e ditëlindjes së katërt të Urus, në kompaninë italiane të njëjtën kohë po shtrëngojnë duart pasi që “super SUV-in” e tyre e kanë blerë 16 mijë persona në mbarë botën, transmeton Telegrafi.
Duke marrë parasysh faktin që Lamborghini gjatë periudhës katërvjeçare kurrë më parë nuk kishte shpërndarë numër kaq të madhe të veturave, është interesant që 85 për qind e blerësve të Urus për herë të parë kanë blerë një veturë nga Lamborghini.
E për të qenë të gatshëm për dërgesat, në Urus kanë dyfishuar kapacitetet prodhuese në fabrikën në Sant’Agata, duke punësuar 700 punonjës tjerë. Megjithatë kjo u është shpaguar, pasi që Urus ka thyer rekordet e shitjeve.
Edhe pse zyrtarisht nuk është konfirmuar, Urus do të duhej nga viti i ardhshëm të jetë i disponueshëm në versionin hibrid “plug-in” që do të prodhojë 820 kuaj-fuqi.
Ndërkaq, aktualisht këtë veturë e vë në lëvizje motori 4.0 litra biturbo V8 që prodhon 650 kuaj-fuqi, mjaftueshëm që të arrijë shpejtësinë maksimale prej 305 kilometra në orë. /Telegrafi/