Telegrafi

Lambda hapë galerinë e dytë në Prishtinë

Galeria e parë ndërkombëtare për art bashkëkohor në Prishtinë, LambdaLambdaLambda ka hapur hapësirën e dytë ekspozuese. E quajtur LambdaLambdaLambda kjo hapësirë ndodhet në objektin ‘Mekanizimi’ në Rrugën Fehmi Agani dhe do të hapet për publikun më 20 korrik nga ora 12:00 deri me 18:00, me ekspozitën grupore Nothing like home II ku marrin pjesë Blerta Hashani, Brilant Milazimi dhe Dardan Zhegrova.

Paralelisht me ekspozitën grupore Nothing Like Home II, në galerinë kryesore LambdaLambdaLambda hap ekspozitën tjetër titulluar Newborn nga artisti francez Bruno Serralongue. Newborn hapet të mërkurën, 20 korrik nga ora 18-21.

Galeria LambdaLambdaLambda është hapur për herë të parë në vitin 2015, pwr tw ofruar një ambient të përshtatshëm për art, eksperimentim, diskutim dhe mësim, sidomos përmes përvojave të bashkëpunimit mes artistëve ndërkombëtarë dhe atyre vendorë.

Nga viti 2015 deri më sot, LambdaLambdaLambda ka hapur 36 ekspozita në galerinë kryesore në Prishtinë. Përveç kësaj, Galeria Lambda është pjesëmarrëse e rregullt e panaireve ndërkombëtare të artit si Art Basel, Frieze, Fiac dhe të tjera. Në tetor LambdaLambdaLambda do të marrë pjesë në Paris+, Panairi i Parë i Art Basel në Paris.

LambdaLambdaLambda u themelua dhe drejtohet nga Isabella Ritter dhe Katharina Schendl.

Informatat e plota rreth lokacioneve dhe ekspozitave të galerive LambdaLambdaLambda dhe LambdaLambdaLambda²:

– Bruno Serralongue
Newborn
Ekspozita hapet më 20.07.2022, 18-21h
21.07. – 29.10.2022
LambdaLambdaLambda
Rruga Garibaldi 1 / Johan von Hahn 8, Prishtinë

Nothing like home II
Blerta Hashani, Brilant Milazimi and Dardan Zhegrova
Ekspozita hapet më: 20.07.2022, 12-18h
21.07. – 29.10.2022
LambdaLambdaLambda²
Rruga Fehmi Agani / Tirana, Prishtinë