Deputetja e LDK-së, Alma Lama, që pret të bëhet ambasadore e Kosovës në Itali, ka folur në “Interaktiv” të KTV-së.
Ajo ka thënë se ka qenë zgjidhja e kryeministrit Isa Mustafa që të propozohet si ambasadore, që bazohet në atë se vetë Lama ka shfaqur interes për t’u zgjedhur, transmeton Koha.net.
“Ku qëndron problemi që propozohem unë. Ka zgjedhur kryeministri të propozohem për shkak disa specifike, si të gjuhës italiane dhe se kam shfaqur interes që të kyçem në diplomaci. Aty po bëj doktoraturën. E falënderoj kryeministrin”, ka thënë Lama, duke shtuar se ka shumë njohje me gazetarë në Itali dhe se kjo mund të ndikojë pozitivisht në Kosovë.
Lama ka thënë se qëndron prapa deklaratave të saja – gjithmonë!
“Qëndroj prapa të gjitha deklaratave të mija. Asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të marr pjesë në seancë (për votimin e presidentit). Është keqinterpretuar nga grupi juaj i medias”, ka akuzuar Lama në “Interaktiv” të KTV-së.
Ajo gjatë tërë emisionit u përpoq të jepte leksione për moralin dhe demokracinë në Kosovë, duke shtuar se po sheh degradim të shoqërisë civile dhe të medieve.
Por, në fakt, ajo gjithmonë është shprehur kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president dhe ka qenë mjaft e ashpër në deklarata kundër tij sa ishte kryeministër.
Më 28 janar 2016, për KTV ajo deklaronte se “nuk do t’ia bëj të mundur personit në fjalë dhe asnjë tjetri, dua të jem e qartë, asnjë tjetri të ngjashëm të bëhet presidenti i Kosovës”.