Telegrafi

Lalçevska: Po forcojmë kapacitetet dhe kushtet për punë nëpër çerdhe

Deputetja e LSDM-së, Tatjana Lalçevska tha se po vazhdohet me realizimin e masave që parashikojnë përmirësimin dhe zhvillimin e sistemit për mbrojtjen e fëmijëve dhe mbrojtjes sociale.

“Me përkushtim po punohet për forcimin e kapaciteteve të çerdheve. Për këtë qëllim, buxheti për ndërtimin, përshtatjen dhe pajisjen e çerdheve për vitin 2019 është rritur për 300 përqind”, theksoi Lalçevska.

Ajo tha se përveç kësaj, nga Banka Botërore janë siguruar 15 milionë dollarë për investime në ndërtimin e objekteve të reja dhe në sektorin e kujdesit të fëmijëve në përgjithësi.

“Qëllimi përfundimtar është që në këtë mënyrë në katër vitet e ardhshme të arrihet përfshirja e 50 për qind e fëmijëve në arsimin parashkollor dhe ngadalë t’i afrohet mesatares evropiane”, shtoi deputetja.

Lalçevska shtoi se në të njëjtën kohë, investohet vazhdimisht në kushtet e punës së stafit nëpër çerdhe./Telegrafi/