Telegrafi

Lakuriqët mund të shpëtojnë viktimat e sulmit në tru

Hulumtimet kanë treguar se si ilaçi i prodhuar nga pështyma e lakuriqëve mund të hollojë gjakun dhe të tretë mpiksjen e gjakut në tru dhe kështu të shpëtojë jetët dhe të kufizojë dëmin e shkaktuar nga sulmi në tru.

Tani për tani pacientët të cilët pësojnë shumicën e llojeve të sulmit në tru duhet që në afatin prej katër orësh pas sulmit të marrin injeksione të veçanta për të tretur mpiksjet ashtu që trajtimi të funksionojë fare.

Por, hulumtimet kanë zbuluar se si përdorimi i injeksionit me ilaç të nxjerrë nga proteinat e pështymës së lakuriqëve mund të ketë efektin e njëjtë edhe deri në nëntë orë.

Ky dallim do të thotë shumë, sepse ky ilaç atëherë mund t’u jepet pacientëve që kanë përjetuar sulmin në tru gjatë kohës së gjumit, ndërsa zgjohen vetëm disa orë më vonë.

Lakuriqët janë zgjedhur për hulumtim, pasi ata përdorin pështymën e tyre për të holluar gjakun e presë për ta pirë pastaj.

Dr. Christine Roffe nga spitali universitar North Staffordshire në Britani të Madhe shpjegon se si hulumtimi është ende në fazat e hershme, por nëse gjithçka shkon si duhet, ilaçi mund të jetë në përdorim të gjerë në afatin prej tre vjetësh.

Hulumtimi ndërkombëtar kryhet në më shumë se 40 spitale, dhe përfshin rreth 400 pacientë, bën të ditur “The Telegraph”.

Hulumtuesit që më herët kanë kryer më pak hulumtime, theksojnë se si ilaçi është treguar si “zbulimi më i madh” tek trajtimet për sulm në tru në dy dekadat e fundit.

Më shumë se 80 për qind e sulmeve në tru krijohen kur ndalet qarkullimi i gjakut për shkak të mpiksjeve në tru, transmeton Koha.net. Ky lloj i sulmit në tru, të cilin e quajmë sulm iskemik, mund të reagojë në injeksionet për thyerjen apo shpërbërjen e mpiksjeve.

Lloj tjetër i sulmit në tru është gjakderdhja në tru, ndërsa paraqitet tek enët e dobësuara të gjakut të cilat furnizojnë trurin e që pëlcasin dhe kështu shkaktojnë dëmtimin e trurit.

Për shërimin e sulmit të tillë shpesh është i nevojshëm një operacion urgjent për t’u larguar gjaku nga truri dhe qepur ena e pëlcitur e gjakut. /Telegrafi/