Çmimet e konsumit primar ose jetësor në Kosovë po ngritën ose po rriten për çdo ditë. Që prej ditëve të para të janarit 2010, për çdo ditë po na paralajmërohet që këto çmime do të vijnë duke u rritur, pa ndërprerë. Çmimet e konsumit jetësor nënkuptojnë bukën ose drithërat (misrin), orizin, sheqerin, mishin, vezët, qumështin, djathin, perimet, pemët, etj. Pra, produktet ose prodhimet bazike konsumuese jetësore për qenien e quajtur njeri. Por, si dhe pse po ndodhë kjo rritje e çmimeve?
Bizneset në Kosovë na thonë që ky është faji i lëvizjeve të çmimeve në tregjet botërore, andaj me rritjen e çmimeve atje, çmimet rriten edhe këtu. Disa nga ato biznese na thonë që arsyeja e rritjes së çmimeve të konsumit të jetë tek importimi i lëndës së parë që vjen nga jashtë, pra që importohet, e që çmimi i tyre të jetë i lartë ose që vazhdimisht rritet. Disa të tjerë na thonë që arsyeja për këto rritje çmimesh të jenë politikat fiskale të caktuara nga Qeveria e Kosovës, pra tatimet e larta.
Vlen të përmendet se sa herë që Qeveria e Kosovës del para opinionin nëpërmjet medieve duke u lavdëruar që në Kosovë të ketë ngritje ekonomike për 5 ose 6 përqind, me automatizëm bizneset kosovare rrisin çmimet gati dyfish nga ajo përqindje e paralajmëruar nga Qeveria.
Ndërkohë, këto ditë e pamë në disa gazeta të përditshme që çmimi i naftës të jetë rritur për arsye përfitimi që kanë bizneset e Kosovës të cilat kontrollojnë importimin e naftës nga jashtë. Këto biznese, me ose pa dhunë, po e caktojnë çmimin e shitjes për litër të naftës dhe të derivateve të saj, nëpër pompat e benzinës në Kosovë. Sepse thuhet që nafta në Kosovë të hyjë me çmime gati përgjysmë (50%) më ulët sesa që shitet. Pra, hynë diku me 50 cent ndërsa shitet rreth 1 euro për litër. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë në këtë kuadër Qeveria e Kosovës përjashtohet nga ngritja e çmimeve në Kosovë.
Kjo tregon që çmimet po i cakton dhe po i dikton biznesi i brendshëm, sipas përfitimeve të tyre, derisa Qeveria e Kosovës shikon televizor. Ose, nuk përjashtohen mundësia qe vet Qeveria e Kosovës, përmes agjentëve të vet (duke marr për bazë tenderët e shtrenjtë), të përfitojë diçka nga këto ngritje çmimesh. Sepse mbetet e pazakontë që Qeveria e Kosovës vazhdon të heshtë kundrejt rritjes së çmimeve të konsumit jetësor në Kosovë. Sido që të jetë, dukuria e rritjes së çmimeve të konsumit jetësor në Kosovë nuk ka lidhje me tregun e lirë.
Në kuadër të kësaj teme, vlen të përmendet edhe përfshirja e atyre që mendojnë që produktet ose prodhimet e konsumit jetësor të importuara nga Serbia në Kosovë, nuk duhet të konsumohen. Në logjikën e parë, kjo ndoshta mund të duket e drejtë. Kjo ka të bëjë me dozën e politikës ditore që udhëheq Serbia karshi Kosovës. Në anën tjetër, edhe mendimtarët e tillë janë ata që po shkaktojnë rritjen e çmimeve të konsumit jetësor në Kosovë. Sepse produktet që po vijnë nga Serbia po vijnë me çmime të volitshme, duke marr për bazë të ardhurat mujore të familjes Kosovare. Në anën tjetër, prodhimet vendore nuk janë në përkatësi me të ardhurat mesatare vjetore të familjes Kosovare, sepse ato janë shumë më të shtrenjta. Kështu, është menduar që prodhimet e konsumit të importohen nga Kroacia ose edhe më larg sepse e kemi mik, duke shkaktuar me automatizëm rritjen e çmimeve të konsumit primar jetësor krejt pa nevojë.
Sido që të jetë, në kuadrin e rritjes së çmimeve të konsumit jetësor në Kosovë, humbësi dihet, e ajo është familja kosovare e Kosovës. Sidomos familjet që të ardhurat i kanë nga rrogat e Qeverisë së Kosovës (shërbyesit civilë) dhe rastet sociale. E familja e tillë kosovare përbën shumicën në territorin e Kosovës. Nëse asgjë tjetër, këto “politika qeveritare” vënë në lëvizje edhe përkatësinë e tyre etnike.