Telegrafi

Lajm i mirë për adhuruesit e astronomisë – po vjen observatori dhe planetariumi i parë në Kosovë

Ilustrim

Kosova për herë të parë do të bëhet me observator dhe planetarium që do të ndërtohet në Shtime.

Projekti, 310 mijë eurosh, u bë i ditur nga kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu përmes një postimi në Facebook.

Ky projekt vjen në kuadër të Komunës së Shtimes dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

“Një lajm fantastik! Observatori dhe Planetariumi i parë në Kosovë, po vjen në Shtime, me vlerë totale 310 mijë euro”, ka shkruar Aliu.

“Sot, në ambientet e Ministrisë së Arsimit, me ministren znj. Arbërie Nagavci, nënshkruam marrëveshje mirëkuptimi për realizimin e projektit ‘Ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumi i parë në Kosovë’ si bashkëfinancim mes MASHTI-t dhe Komunës së Shtimes”, tha ai.

“Observatori dhe Planetariumi do të jenë në shërbim të zhvillimit të aktiviteteve mësimore dhe jashtë-mësimore të nxënësve dhe të rinjve nga gjithë territori i Republikës së Kosovës, duke i trajtuar me kujdes të gjitha kërkesat e arsyeshme për vizita studimore, organizim të demonstrimeve dhe forma të tjera të përfitimit nga shfrytëzimi i resurseve të “Observatorit dhe Planetariumit”.

“Falënderoj ministren Nagavci dhe stafin e saj, për angazhimin në jetësimin e këtij projekti madhor dhe dobiprurës për eksplorimin adekuat në fushën e astronomisë dhe vrojtimeve kozmike”, theksoi Aliu. /Telegrafi/