Pep Guardiola ka komentuar humbjen e Manchester Cityt ndaj rivalit lokal Manchester United në kuadër të javës së 27-të në Ligën Premier.
Djajtë e Kuq triumfuan 2-0 në Etihad Stadium, duke përfunduar ecurinë fantastike prej 21 fitoresh rresht në Ligën Premier.
Guardiola ka thënë pas derbit se lajmi është se ata kishin 21 fitore radhazi, dhe jo humbja që pësuan.
“Ne do të jemi lajmi për shkak të humbjes”, ka thënë spanjolli për Sky Sports. “Por, lajmi kryesor është 21 fitore radhazi”.
“Ende janë 30 pikë në lojë dhe ne duhet të rikthehemi te fitoret. Ky është futbolli. Nganjëherë ndodhë”.
“Ishte ndeshje fantastike. United bëri një lojë të mirë, duke bërë presion të lartë. Por, edhe ne kemi luajtur mjaftë mirë. Fatkeqësisht nuk i shfrytëzuam rastet”, ka shtuar më tej Guardiola.
Manchester City vazhdon të jetë lider në Ligën Premier me 11 pikë diferencë nga vendi i dytë, që është Manchester United. /Telegrafi/