Telegrafi

Lajmet trishtuese në Facebook

Ilustrim

Gjithnjë e më shumë, sidomos gjatë pandemisë, sapo hap Facebook ndesh njoftime për ndarje nga jeta të njerëzve që i njeh, të familjarëve të tyre, të njerëzve që nuk i njeh, njerëz publikë apo individë krejt të panjohur!

A është Facebook-u platforma e duhur për lajme të tilla?

A duhet që një lajm të hidhur për mua ta lexojnë 50, 500 apo 5000 “miqtë” e mi në Facebook?

Facebook të ndihmon se e përçon me shpejtësi lajmin, por në anën tjetër ngre pikëpyetje për mënyrën si duhet të veprosh?! T’i japësh “Like”?! Të shkruash ngushëllime në publik?! Nëse këtë njoftim publik algoritmi i Facebook-ut nuk ta ka shfaqur, a do të gjykohesh si njeri i pandjeshëm?!

Personalisht, në Facebook nuk dëshiroj të ndaj lajme të hidhura dhe, nëse mësoj lajme të tilla, ngushëlloj në mënyrë private duke shkruar ne Whatsapp apo thjesht mesazh!

Shqetësimin për njoftimin e vdekjeve në Facebook e kam ndeshur shpesh këto javë. Ky është debat delikat. Por, e vërteta është se krahas “lajmeve të këqija” që ndeshim në televizione dhe portale, parim me të cilin operon gazetaria, lajmet trishtuese po i ndeshim gjithnjë e më shpesh edhe në Facebook!