Ka shumë teori, saqë edhe libra janë shkruar, për temën “Mediat dhe Politika”. Sidoqoftë, ky shkrim nuk synon të zbërthejë këtë temë ose marrëdhënie, relacion, por të marr shembullin e Kosovës lidhur me këtë çështje.
Siç dihet, Atifete Jahjaga nuk është zgjedhur Presidente e Kosovës me votat e qytetarëve të Kosovës. Ajo është zgjedhje, nga shumë sosh, e Ambasadës amerikane në Prishtinë, përmes zarfit. Dua të them, përderisa Atifete Jahjaga nuk është zgjedhur si Presidente, ose Presidente e zgjedhur përmes votës së qytetarit, ajo nuk mund të quhet Presidente e Kosovës, Presidente e vendit, Presidente e shtetit.
Pse?
Përgjigja në këtë çështje shtrihet në shtjellimin e saj të cilin po provoj ta sjelli në vijim.
Mediat bëjnë gabim gazetaresk kur Atifete Jahjagën e cilësojnë dhe e emërtojnë Presidente të Kosovës. Me këtë sjellje, mediat me automatizëm e humbin pavarësinë mediale bashkë me pavarësinë editoriale karshi politikës ditore. Me këtë mediat nuk janë më në mesin e qytetarëve, por në mesin e politikës. Me këtë mediat më nuk janë media, por janë qendra mediale të partive politike. Por, të mos zgjerohem këtu.
Siç dihet, demokracia varet nga zgjedhjet. Nuk synoj të mbajë ligjëratë mbi demokracinë, por përderisa Presidentja e Kosovës ose Presidenti nuk zgjidhet me votën e qytetarëve të Kosovës, atëherë mediat, pavarësisht se nga kush është zgjedhur Presidentja, duhet të kenë parasysh dhe të ruajnë pavarësinë politike duke iu përmbajtur rregullit të artë, edhe pse të pashkruar, që të dalin në anën e qytetarit, në anën e shoqërisë prej ku takojnë dhe ta shikojnë dhe ta transmetojnë politikën po me ata sy.
Kështu, nëse Presidentja është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, atëherë mediat duhet të përdorin emërtimin si “Presidentja e zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës”, ose në rastin konkret, nëse Presidentja është zgjedhur nga një pakt ose marrëveshje politike, atëherë mediat duhet të përdorin emërtimin si “Presidentja e dalë nga marrëveshja politike, Atifete Jahjaga”. Fatkeqësisht, mediat e Kosovës, televizionet, gazetat, radiot e faqet e internetit, politikën në Kosovë po e shohin dhe po na e transmetojnë vetëm nga këndi i partive politike.
Për shembull, nëse Kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaron diçka si “Kosova po integrohet në BE…”, atëherë të gjitha mediat do ta transmetojnë këtë deklarim. Nëse marrim parasysh që televizionet nacionale transmetojnë edicione lajmesh për çdo orë dhe nëse e bëjmë një matematikë të thjeshtë, ku dita i ka 24 orë ndërsa lajmet në tri televizionet emetohen për çdo orë, atëherë 24×3=72×2=144. Pra, deklarimin e Hashimit që “Kosova po integrohet në BE…” do ta dëgjojmë, shohim dhe lexojmë rreth 144 herë në ditë. Veç tjerash, gjasat reale janë që Hashim Thaçin ta shohim dhe dëgjojmë në televizor përmbi katër orë në vetëm një ditë të vetme në vetëm një televizion.
Duke marrë parasysh që secila parti politike në Kosovë, PDK, LDK, Lëvizja Vetëvendosje ose edhe AAK, si dhe ndonjë parti tjetër pak më e gjerë ose e vogël, mban deklarime për shtyp për çdo ditë, atëherë edicionet e lajmeve në televizionet tona, radio ose edhe në faqet e gazetave dhe të agjencive në internet, do të mbushin sekondat, minutat, orët, ditët, si dhe faqet e gazetave. Ironia është që pas këtyre deklarimeve mbarojnë lajmet, sepse shpenzohen mbi pesë minuta, 20 ose edhe 30 minuta kohë. Në momentin kur përfundojnë deklaratat politike, atëherë përfundojnë edhe lajmet. Kështu, deklarimet politike trajtohen dhe shërbehen në publik si lajme.
Në parim, nuk është edhe aq keq sa tingëllon nëse mediat e Kosovës kanë vendosur, tash e 13 vjet, të na i emetojnë deklarimet e politikanëve nëpër televizione, gazeta e radio, por mediat tona bëjnë gabim kur vetëm këto deklarime i trajtojnë si lajme. Nëse edicionet e lajmeve do të fillonin me deklarata politike të cilitdo politikan, atëherë mediat do të duhej natyrshëm që pas deklarimeve politike të trajtonin dhe të na ofronin lajme, veçanërisht ndodhi edhe nga përditshmëria me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë ose nëpër të cilat kalon ajo, siç është papunësia, të ardhurat, çështjet e mbrojtjes sociale, rrugët, kanalizimet, shkollat, mësimdhënësit, universitetet, sporti, muzika, veshmbathja, ushqimi, rryma, ajri, lodrat dhe shumëçka tjetër. Në fakt, ky do të mund të ishte njëri nga shumë modelet në tavolinë.
Fatkeqësisht, mediat e Kosovës nuk shkojnë me tej sesa modeli i deklaratave politike. Nga kjo, nuk është e rastësishme që njëri nga emisionet më të shikuara këto vitet e fundit në mediat e Kosovës ishte edicioni “Hajt Pak” në KTV, sepse aty qytetarët e kanë parë vetveten së paku dy minuta në 24 orë, prej 144 herëve në ditë.