Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, i cili po kërkohet nga Policia e Kosovës pasi për të është lëshuar fletarrest nën dyshimin për krim të organizuar dhe shpëlarje parash, është lajmëruar dhe ka treguar se nuk gjendet në Kosovë, njofton Klan Kosova.
Lajmin se Syla është lajmëruar përmes telefonit, por se nuk ka treguar se ku gjendet, e ka bërë të ditur për Klan Kosovën, avokati i Sylës, Tomë Gashi.
Më herët kam biseduar me të (Azem Sylen) në telefon. Me tha që ‘nuk jam në Kosovë’, por nuk më tregoi ku është”, ka thënë Gashi.
Gashi ka treguar se nuk e ka pyetur klientin e tij fare se ku gjendet, për shkak se telefoni i tij mund të përgjohet dhe kështu organet e rendit në Kosovë mund të kërkojnë sjelljen me forcë të Sylës në Kosovë.
“Unë nuk e di ku është saktë dhe nuk e pyeta për shkak te përgjimeve, sepse më pas mund ta ekstradojnë aty ku është”.
Gashi ka qenë i paqartë në përgjigjen e tij rreth pyetjes se kur Syla mund të vije në Kosovë për t’iu përgjigjur drejtësisë.
“Nuk me ka thënë se kur do te kthehet, por me ka thënë se ‘me përmirësimin e motit do te kthehem për t’u dorëzuar dhe përballur me akuzat e pa baza’”, ka thënë Gashi, njofton Klan Kosova.
Policia e Kosovës sot ka filluar një operacion për kërkimin e deputetit Azem Syla bashkë me njësitet e EULEX-it.
Operacioni për kërkimin e Sylës ka filluar në orën gjashtë të mëngjesit.
Policia, që për momentin po qëndron me njësitet operative të saj në kufirin Kosovë-Shqipëri në Vermicë, sot ka bastisur më shumë se 40 lokacione të ndryshme.
Bashkë me Sylën të kërkuar janë edhe 51 persona të tjerë, të cilët në forma të ndryshme lidhen me keqpërdorime dhe shpëlarje parash.