Site icon Telegrafi

Laibach: Serbët të kenë kujdes nga teprica e sheqerit në kafe, nga yndyra e gjakut, rakia në kokë…

Nga: Branko Rosiq/Nedeljnik
Përktheu: Telegrafi.com

Në fund të viteve 1980, hyra në dyqanin më të famshëm të disqeve të gramafonit në Kopenhagë. Pronarja e kishte të veshur një fanelë me mbishkrimin “Laibach”. Më pyeti nëse në Jugosllavi është ndonjë grup i ngjashëm me ta, sepse janë disi më të mirët e më origjinalët në botë.

Shumë shpejtë në Londër e pashë një reklamë të madhe për grupin Laibach, besoj në të famshmen “Royal Albert Hall”. Kështu, në ato vite, ky grup slloven, nga statusi i produktit më të ndaluar muzikor në RSFJ, u shndërrua në produktin kryesor eksportues jugosllav. Askush nga asnjë zhanër muzikor nga ky rajon, nuk ka arritur atë që e arritën djemtë nga qyteti slloven i minierave, Tërbovle. Rrallëherë këtë e ka arritur dikush edhe nga degët tjera të artit.

Shtypi britanik i shpalli si grupin më të rrezikshëm në botë, e radioja e Nju-Jorkut – me rastin e turneut të tyre në ShBA – i paraqiti si grupin që shkatërron shtete dhe që i krijon të rejat; në turneun e parë evropian më 1983, të quajtur “Turneu në Evropën e okupuar”, janë shfaqur me uniformat e Ushtrisë jugosllave; radiostacioni i njohur bavarez, “Zündfunk/Bayerischer Rundfunk”, i vendosi në hartën e grupeve dhe interpretuesve më të rëndësishëm në historinë e muzikës pop; revista e famshme muzikore angleze, “WIRE”, paraqitjen e tyre ekstreme në Termocentralin Tërbovle në dimrin e vitit 1990 e renditi mes “60 koncerteve që tronditën botën”; e Instituti i mirënjohur i Teknologjisë së Masaçusetsit, madje ka botuar një libër për ta të quajtur “Makina e marrjes në pyetje”!

Grupi Laibach, të mërkurën më 4 dhjetor, do të mbajë një koncert ekskluziv për të gjitha gjeneratat, në sallën “Kombank” të Beogradit, në kuadër të turneut për albumin që ata e paraqesin si të fundit të tyre, “The Sound of Music“ – të lansuar në fund të vitit 2018. Albumi u zhvillua kur si rok-grupi i parë perëndimor, Laibach e viziton Korenë e Veriut më 2015, me rastin e “70-vjetorit të çlirimit të vendit”, ndërsa përmban këngët e ekzekutuara me atë rast si dhe këngët për filmin dokumentar, “Ditët e çlirimit”.

Për më shumë, flasin anëtarët e grupit.

Do të mbani koncert më 4 dhjetor në Beograd, ku, siç mbaj mend, ishte koncerti i parë i juaj, apo jo?

Koncerti i parë i Laibach-ut ishte më 27 Shtator 1980 në Tërbovle, por që u ndalua para se të ekzekutohej tingulli i parë. Koncerti i parë, të cilin ne de facto ia dolëm ta realizonim, ishte më 12 janar 1982 në diskotekën legjendare të Lubjanës, “FV 112/15”. Në Beograd kemi luajtur për herë të parë më 18 maj 1982 në SKC por, para kësaj, më 14 qershor 1981 kemi pasur ekspozitën e parë “Ausstellung Laibach Kunst”, në galerinë po ashtu legjendare të SKC-së, “Gëzuar Artin e Ri” (“Srećna nova umetnost“). Kaq për historinë.

Vitin tjetër është 40-vjetori i grupit, që u formua një muaj pas vdekjes së Titos, në Jugosllavinë e Titos. Cili është mendimi juaj sot, për Jugosllavinë, për Titon? A jeni jugonostalgjikë?

Jugosllavia është një histori e madhe, e humbur, vetëshkatërruese, e përbërë nga disa kapituj. Ne nuk jemi jugonostalgjikë, por na vjen njësoj keq që projekti dështoi. Me të gjitha gabimet dhe mangësitë, ishte vend me potencial të madh intelektual, kulturor dhe politik; një vend i cili që nga ndarja me Stalinin, në të gjitha aspektet sistematikisht e zhvilloi modernizmin utopik, por që nuk ia doli me postmodernizmin kur edhe nisi kolapsi. Kjo pjesërisht për shkak të figurës së ekzagjeruar të udhëheqësit, i cili nuk kishte pasardhës të denjë. Tito ishte padyshim një nga politikanët më të spikatur të kohës së tij, me një vizion fantastik të një strategjie të zgjuar politike ndërkombëtare, dhe shtetarët e tillë asnjë demokraci sot nuk mund t’i krijojë, sidomos jo në këto vende të vogla qesharake që kanë lindur në rajon e që veten e quajnë shtet.

Askush kurrë nuk ka përpunuar ndonjëherë këngët origjinale apo të shquara nga grupet si The Beatles, Rolling Stones, e deri te Europe… A është lajmëruar dikush nga muzikantët e njohur, këngët e të cilëve i keni përpunuar? Dhe, çfarë kanë thënë?

U lajmëruan anëtarët e grupit Opus që ishin shumë të lumtur me versionin tonë “Life is Live”. Grupi Europe (“Final Countdown”) erdhi kolektivisht në koncertin tonë në Stokholm, për të na përshëndetur. Paul McCartney i ka publikuar përpunimet tona të albumit “Let it Be” në disa prej koncerteve të tij. Ndërsa, Mick Jagger ka qeshur kur ia lëshuan tetë versionet tona të “Sympathy for the Devil“.

Si dhe çfarë kujtoni nga koncerti në Sarajevë në ditën e Marrëveshjes së Dejtonit?

Më së shumti e kujtojmë ndjenjën e lumturisë që kaploi qytetin, ku njerëzit – për shkak të luftës që zgjati me vite – jetuan dhe vdiqën në kushte të pamundura. Këtë lumturi, jo shumë vonë, fatkeqësisht e zëvendësoi frika, zemërimi, trishtimi dhe zhgënjimi i përgjithshëm për realitetin e ri politik. Kujtojmë gjithashtu se në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, ku me pushkë ishin disa ushtarë të Ushtrisë boshnjake, në dy koncerte e interpretuam “Marshin në Drinë” (këngë nacionaliste serbe, por që ky grup këngët e tilla i interpreton si parodi – v.j.) dhe për këtë u shpërblyen me duartrokitje të mëdha nga e gjithë audienca. Natyrisht, pjesa më e emocionuar ishte ajo serbe, disa prej të cilëve erdhën për të na falënderuar.

Isha në disa koncerte të Leibach-ut në Beograd, dhe në ato koncerte Peter Mlakar lexoi fjalimin që fillon me: “Vëllezër serbë…”! Çfarë i porositni sot “vëllezërit serbë”?

Le të kujdesen nga teprica e sheqerit në kafe, nga yndyra e gjakut dhe nga rakia në kokë. E, Kosova është Serbi aq sa Serbia është Kosovë!

E njihni apo e keni dëgjuar dhe, nëse po, çfarë mendoni për këngëtaren Senidah që jeton në Lubjanë?

Një version më i sofistikuar i Ceca Razhnatoviqit, i kamufluar në një kurth, por që gjithsesi është veç turbo, me pak yndyrë po jo më pak sheqer.

“NATO Evropa e okupuar” është turneu juaj nga vitet 1994/95. Serbët besojnë se duhet të jenë mes Lindjes dhe Perëndimit e të mos futen në NATO. A duhet apo jo?

Assesi nuk duhet; NATO nuk është asgjë më shumë se një nënshtrim ushtarak amerikan i Evropës. Përkundrazi, Evropa duhet të krijojë aleancën e saj ushtarake ku, sipas mendimit tonë, duhet të përfshihet Rusia! Deri atëherë, mbajeni Serbinë në një pozitë neutrale, sepse veç për këtë mund t’i rritet vlera!

A ka dikush që e do pasaportën tuaj NSK (Neue Slowenische Kunst – v.j.)? Çdo herë e më shumë serbë, jo veç të rinj, po vijnë të punojnë në Slloveni.

Ende ka të tillë që duan një pasaportë të shtetit NSK, por ne jemi distancuar nga ai shtet, kështu që nuk kemi shumë informacione për të. Ka edhe serbë që vijnë për të punuar dhe që jetojnë në Slloveni, siç është p.sh. Bora Gjorgjeviq (lideri i grupit kryesor të rokut serb, Riblja Corba, që në vitet 1980 të ngritjes së Sllobodan Millosheviqit në pushtet, nga ideologjia jugosllave i bashkohet nacionalizmit morbid serb, fillimisht duke fyer shqiptarët e Kosovës dhe sllovenët – v.j.), dhe kjo është gjë e mirë. Rojet e stallave të kuajve të Vjenës (fyerja që Gjorgjeviq ua bënë sllovenëve, duke thënë se nuk u duhen gjë ata, ndaj le të shkëputen nga Jugosllavia, kjo sepse serbët e dinin që nuk mund ta kontrollojnë Slloveninë, por donin kontroll ndaj njësive tjera të Federatës – v.j.) kanë nevojë për gjak të freskët, për mençuri dhe humor serb, si dhe për një forcë të gatshme pune.

Laibach ndër vite ka arritur në kulturën muzikore atë që nuk ka mundur kush jashtë zonave anglo-saksone, gjermane ose skandinave, por që ishte edhe grup i ndaluar. Cilën ndalesë të Laibachut-ut e mbani mend si më origjinalen?

Vërtetë kishim ndalesa të ndryshme. Më zbavitësja ishte në Zagreb në vitin 1983. Artisti dhe miku i grupit, Sven Stilinoviq, inicioi ekspozitën e Laibach-ut në galerinë “Mediat e zgjeruara” (“Prošireni mediji”). Ekspozita me titullin “Ausstellung Laibach Kunst – Transavangarda e regjimit” ngjalli interes të madh të publikut alternativ, me të cilët galerinë shpejtë e shndërruam në një diskotekë dhe hapësirë zbavitjeje, por dikujt nuk u pëlqyen veprat e ekspozuara, koncepti i ekspozitës dhe zbavitja e tepruar, kështu që kishte presion politik ndaj drejtorisë së galerisë që ekspozita të mbyllet para kohe. Kjo ndodhi tre ditë më vonë, e ne, anëtarët e Laibach-ut, u shoqëruam në këmbë nga policia për në Stacionin kryesor të Zagrebit, ku na dërguan me tren për në Lubjanë duke na thënë: “Shkoni diku tjetër për ta shfaqur bukurinë tuaj, se Kroacinë nuk do ta ndotni”. Por, u kthyem muajin tjetër në Zagreb dhe më 23 prill e mbajtëm koncertin që nuk harrohet, në Bienalen e 12-të të Muzikës. Menjëherë pas koncertit, që u ndërpre nga policia së bashku me Armatën Popullore të Jugosllavisë, na erdhi ndalimi zyrtar nga Kuvendi slloven, që zgjati deri në vitin 1987, e që na ndaloi ta përdornim emrin “Laibach” (emërtimi gjerman i Lubjanës – v.j.).

Kur ishte hera e fundit që jeni dëgjuar me Slavoj Zizekun?

Me Slavojin ishim të lidhur në vitet 1980-1990, e madje një kohë kemi jetuar bashkë në një shtëpi. Qëkur u bë një yll planetar filozofik, shihemi veç kur takohemi.

A është Julian Assange pak i ngjashëm me Laibach-un? Dhe, a kishte ndonjë propozim për ta vizituar atë në Londër?

Julian Assange nuk është si Laibach. Ai është një altruist idealist, një Jezu Krisht bashkëkohor dhe fati i tij është i trishtuar, megjithëse të gjithë e dinim se kjo kështu do të ndodhte. Kishte propozime për ta vizituar në Londër, por nuk do ta ndihmonim shumë. Tash ngadalë po e vret cinizmi i kohës dhe dora vrastare e korpokapitalizmit. /Telegrafi/

Exit mobile version