Lahi Brahimaj ka përkujtuar bashkëluftëtaren e tij Fetnete Ramosajt, duke thënë se në Holandë po e mbrojnë të vërtetën e luftës së UÇK-së dhe sakrificën e popullit shqiptar.
Përmes një postim në Facebook shpreh keqardhjen që nuk ishte në gjendje të marrë pjesë në ceremoninë mortore, pasi ndodhet në Hagë me ftesë të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.
“Sot, kur Ty Fitnete, bashkëluftëtare, tu dha lamtumira e fundit, unë nuk isha prezent, dhe për këtë më vjen keq, por fati e ka që shpesh të mos gjendesh fizikisht aty ku je me mendje e me zemër. Nga Haga, nga këtu ku komunikoja shpesh me Ty për zhvillimet në Kosovë, dikur, edhe sot po e shkruaj një lamtumirë dhe po të thurr lavdinë për gjithçka që ke dhënë gjatë dhe pas luftës. Edhe sot, po e mbrojmë të vërtetën e luftës së UÇK-së dhe sakrificën e popullit shqiptar, me shumë bashkëluftetarë të tjerë, atë të cilën deri në fund të jetës e trumbetove edhe Ti, Fitnete. Lavdi, “Zëri i UÇK-së”, të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, shkruan Brahimaj.
Ndryshe, Fetnete Ramosaj ndërroi jetë të premten, ndërsa të dielën iu dha lamtumira e fundit.
Që nga viti 1989 ishte pjesëtare aktive e lëvizjes ilegale dhe asaj gjithë-popullore në Kosovë. Ka qenë pjesëmarrëse aktive në luftën çlirimtare, si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë luftës në Kosovë, veç tjerash, ka kryer detyrën e zëdhënëses së UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit.