Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Lahi Brahimaj, kishte kontakte shoqërore me gjeneralin kroat, Slobodan Praljak, njeriun që vrau veten në sallën e Gjykatës së Hagës duke pirë helm.
Ish-deputeti kosovar së bashku me kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe Idriz Balajn akuzoheshin nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës, më 1998”.
Brahimaj, në një rrëfim për “Indeksonline”, tregon detaje interesante se si ishte njohur me gjeneralin Praljak dhe çfarë i kishte thënë për Republikën e Kosovës.
Ai thotë se është ndier i mërzitur me ta marrë lajmin për vdekjen e tij.
“Ata e kam njoft dhe shumë mu ka dhimt. Goxha burrë i mirë u kanë dhe ju kam shkru disa kroatëve për këtë rast”, shprehet ai.
Më tej, Brahimaj tregon edhe për një bashkëbisedim të gajtë që kishte me Slobodan Praljak. Ky i fundit i kishte thënë atij se do të ndihej ‘krenar’ nëse do të ishte në vendin e tyre ( Haradinajt, Brahimajt dhe Balajt) nëse do të dënoheshin me burgim të përjetshëm.
“Shumë herë që kam bisedu me të më ka thënë: ‘Z. Brahimaj kur pe sho çfarë ka ndodhë nuk është krejt rastësi’. Shembull më ka thënë mu, para se me dal verdikti jonë që në nuk mujshmi me dijtë a ka me dal dënim i madh apo i vogël apo hiq, njerëzit kanë mujt me supozu çfarë dënimi po me dijt kërkush s’ka mujt me dijt. Më thojke ‘me kanë në situatën e juve burg të përjetshëm mem dhanë e kisha nënshkru me kënaqësi, sepse ju e keni fitu shtetin kurse ne kemi bë shumë e s’kemi fitu hiq’. Thojke ‘1 vjet mem dënu unë nuk e pranoj shpirtërisht, sepse nuk e kam fitu atë për çfarë kam luftu”, tregon ish-deputeti kosovar.
“Unë dje si e kam pa atë çfarë ka ndodhë gjatë seancës e kam dijtë që nuk pshton sepse nuk e ka kryet si Shesheli që bëjke aktrim. Qëndrimin e tij e kam dijtë se nuk e ka ba veç me ba filma për me myt veten dhe e kam dijtë që nuk ka ndonjë shancë me pshtu”, ka thënë ai.
Tutje, Brahimaj tregon edhe variantin se si Praljak, i njohur me pseudonimin “Brada”, kishte mundësinë për ta futur helmin brenda sallës gjyqësore në Hagë.
Ndryshe, Praljak ishte njëri nga gjashtë ish-liderët politikë e ushtarakë të kroatëve të Bosnjës që u dënua me 20 vjet burgim më 2013 për krime në Mostarin lindor.
Kurse me të dëgjuar se dënimi i tij u rikonfirmua, ai iu drejtua gjykatësit: “Sapo piva helmin”. /Indeksonline/