Telegrafi

Lagjja e re e Komoranit me rrjet të ri elektrik

Mbi 4.5 km rrjet i ri dhe 57 shtylla të reja të betonit kanë bërë që Lagjja e Re e Komoranit të ketë shërbime shumë më kualitative me energji elektrike, sikurse humbjet të jenë dukshëm më të vogla

Ferat Hykolli nga Komorani i Drenasit tash ka energji elektrike shumë më kualitative. Kjo është arritur falë investimeve të KEDS-it në rrjetin elektrik në Lagjen e Re ku ai jeton. “Më herët kishim prishje të shpeshta, përderisa tensioni ishte shumë jostabil dhe zakonisht më i ulët se normalja. Por, tashmë ky problem është tejkaluar”, thotë Hykolli.

Në këtë lagje është ndërruar krejtësisht rrjeti i vjetër me atë të riun. “ Në projektin e Lagjes së Re të Komoranit janë vendosur 60 shtylla të betonit dhe mbi 4.5 kilometër kabllo bistekë”, thotë Teuta Buçinca, inxhiniere mbikëqyrëse.

Ekipet e mirëmbajtjes nuk kanë më punë thuajse fare në këtë pjesë të Drenasit. “Investimet në rrjet e kanë bërë të veten. Gjendja ka ndërruar diametralisht për të mirë. Ne po e tregojmë në vepër vendosmërinë tonë që të jemi sa më afër konsumatorëve dhe të ndërtojmë partneritet të qëndrueshëm me ta”, thotë Fitim Prokshi, koordinator për Rrjet në Nëndistriktin e Drenasit.

Së bashku me shtyllat e betonit dhe kabllot janë zhvendosur edhe njehsorët elektrikë në shtylla. Nga zhvendosja e njehsorëve janë ulur si humbjet teknike, ashtu edhe ato komerciale. “Kjo strategji është fituese edhe për konsumatorët të cilët përfitojnë shërbime më cilësore, edhe për KEDS-in, pasi ka më pak humbje të energjisë në rrjet”, thotë Habib Asllani, koordinator për Furnizim në Nëndistriktin e Drenasit.

Në kuadër të investimeve, KEDS ka në finalizim e sipër 112 projekte anekënd vendit për përforcim të rrjetit dhe dislokim të njehsorëve në shtylla elektrike. Ky projekt është i shtrirë në tërë vendin dhe do të përfitojnë direkt 20 mijë konsumatorë në të gjitha distriktet. Projektet kanë si synim kryesor rritjen e kualitetit të shërbimeve për konsumatorë dhe zvogëlimin e humbjeve.

Investimet janë të fokusuar në zonat me përparësi, ku ka nevojë më të madhe. Në Distriktin e Prishtinës që është edhe distrikti me numrin më të madh të konsumatorëve, janë 30 projekte që përfshinë mbi 5200 konsumatorë, në Distriktin e Pejës për shkak të gjendjes që mbizotëron atje janë në finalizim e sipër 27 projekte që përfshinë mbi 5000 konsumatorë, mbi 3500 konsumatorë në Distriktin e Mitrovicës do të përfitojnë nga 13 projekte, në atë të Prizrenit 1700 me 19 projekte, Ferizaji mbi 1500 dhe në Distriktin e Gjilanit mbi 800 sosh me 12 projekte në të dy distriktet që janë në fazën finale të punimeve. /Telegrafi/