Site icon Telegrafi

“Lagështi dhe ftohtë në burgun e Fierit”- Salianji letër për qytetarët nga qelia 6

Protesta e 26 nëntorit, Ervin Salianji letër nga qelia 6! Salianji: Për ta ndryshuar situatën, duhet të qendrojnë, të rezistojnë, të ngrenë krye.

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, ka përgatitur një letër për qytetarët, pak ditë para protestës së 26 nëntorit.

Ne letrën e Salianjit, të postuar edhe në faqen e tij në Facebook, ai i bën thirrje shqiptarëve që të rezistojnë dhe të ngrenë krye, për të ndryshuar situatën.

Salianji shton gjithashtu se punët në Shqipëri po shkojnë gjithmonë e më keq, njësoj siç sipas tij është edhe dënimi i tij politik në burgun e Fierit.

Postimi i Salianjit:

Letër nga qelia 6 #Manifesto

Për ta ndryshuar situatën, duhet të qendrojmë, të rezistojmë, të ngremë krye ????

Shkurtimi i ditës, i ftohti dhe lagështira nuk e kursejnë këtë anë ku është vendosur burgu i Fierit dhe as qelinë nr 6. Këto kushte atmosferike nuk e bëjnë aspak më të mirë një dënim politik. Por, edhe më të rëndë e sjell atmosfera jashtë. Asnjë lajm i mirë nuk mbërrin nga askund në Shipërinë tonë.  Punët po shkojnë përherë e më keq.

Teksa parakalon rëndshëm propaganda qeveritare sikur në polici dhe në Ministrinë e Brendshme po bëhet nami me konkurse e ndryshime, pasiguria për jetën ka shkuar në skaj.

Vrasja e 14 vjeçarit në derën e shkollës, pas një sherri të përsëritur, tregon dështimin skandaloz të gjithë qeverisë bashkë me atë dyzinë strukturash që ka në varësi, që janë aty, e kanë për detyrë të parandalojmë që tragjedi të tilla të mos ndodhin.

Nuk mundem as ta imagjinoj se si ndihen prindërit e Martinit. Ama në ekran pashë se i ati dhe e ëma u shfaqen me një kurajo të jashtëzakonshme. Dhe me një mesazh frymëzues. As histeri, as thirrje për hakmarrje. Dhe patën edhe empati, kur thanë se edhe prindërit e autorit s’duhet të jenë të lumtur, pasi asnjë baba nuk do që i biri të bëhet kriminel. Kërkuan drejtësi.

Ky ishte një prej manifestimeve më prekëse dhe më ndikuese besoj në opinion në kohët e fundit. Po ashtu dhe protesta që prindër dhe qytetarë bënë të enjten, marshimi I tyre nga vendi I ngjarjes tek Ministria e Arsimit, ku një ogertë u shfaq në një dritare për të kujtuar këdo se sa arrogante dhe e panndjeshme është rilindja.

Mësohet se fjala “Manifestim”, ka dalë më e popullarizuara, më e kërkuara në botë, sipas fjalorit britanik “Cambridge Dictionary”.

Në fusha të ndryshme, ka kuptim të ndryshëm. Ne si shoqëri në gjendjen ku jemi, kemi nevojë për sensin, manifestim, për të shprehur, për të kërkuar, për t’i dhënë zë asaj që aspirojmë, asaj që duam, asaj që meritojmë.

Europa ku duam të shkojmë, duket kaq larg me aktet që bën sot qeveria e kryeministri.

Vetëm një grimë, një hije, një tentativë reduktimi i lirisë të ketë, në një vend normal të kontinentit dhe në perendim, do të shohësh që kjo do të shoqërohej me manifestime masive.

Edhe pse sot pranohet nga shumë studiues se rreziku më i madh që i kanoset demokracisë është tirania e të ndenjurit mënjanë e qytetarëve, pra apatia.

Tek ne kjo është edhe më e theksuar për fat të keq. Dhe është po ashtu, terreni më i mirë për sunduesin që ka qejf ta shfaqë veten si artist.

Unë shpresoj se manifestimi, revolta, do ta gjejë humusin dhe tek ne dhe do të popullarizohet. Nëse duam një vend normal, duhet ta kërkojmë atë.

Nëse duam zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të maniftojmë për to.

Nëse duam në fund të fundit drejtësi, duhet të gjakojmë për drejtësi.

Asgjë nuk vjen vetë. Aq më keq po tja lësh në dorë qeverisë dhe kryeministrit. Ai ka treguar se zgjedh banditin dhe trafikantin ndërkombëtar të drogës, përpara çdokujt tjetër. Dhe për të mbrojtur një të tillë, sajoi farsën më të paprecedentë gjyqësore, dhe urdhëroi dënimin tim me 1 vit burg.

Kjo erdhi, pasi unë bëra një manifestim. U shpreha, me zë të lartë kundër drogës, kundër kanabizimit, kundër krimit, kundër lidhjes së krimit me Ministrin e Brendshëm, me qeverinë, po në 11 vitë luftova e do vazhdoj të luftoj duke denoncuar modelin e kriminelit që kontrollon institucionet duke u kthyer në model për shoqërinë! Atë që shoqëria duhet ta izolojë Edi Rama e promovon, e ate që duhet ta prokovojë shoqëria si model qeveria e mënjanon dhe e syrgjynos.

Duke parë pasojat, dikush mund të mendojë se manifestimi qenka me kosto. Por, padyshim se më e lartë është kostoja e heshtjes, e qendrimit mënjanë.

Të gjitha paudhësitë e të keqiat, të gjitha të ligat e qeverisjes që kemi, e planeve djallëzore për ndarjen e pasurive dhe të buxhetit të shtetit me klientelë, përvetësimi dhe grykësia e madhe ministrore, këtë dëshiron. Që të mos ketë manifestim e revoltë!

Po shqiptarët nuk duan këtë. Kjo është e sigurtë. Po për ta ndaluar, e për ta ndryshuar situatën, duhet ta kërkojnë, të qendrojnë, të rezistojnë, të ngrenë krye. Të manifestojmë. #26Nëntor /A2 CNN

Exit mobile version