Telegrafi

Laert Haxhiu organizator dhe porositës i vrasjeve, Rrumbullaku tregon si do të ekstradohet nga Greqia

Drejtori i i Përgjithshëm i Policisë në Shqipëri, Muhamet Rrumbullaku ka publikuar detajet e megaoperacionit të shtrirë në disa qytete të vendit, për zbatimin e 15 urdhërarresteve të lëshuara nga gjykata, për pjesëtarët e një grupi vrasësish me pagesë të përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.

Arrestimet u kryen në Elbasan, Berat dhe Lushnjë dhe kanë ardhur pas bashkëpunimit të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, me autoritetet.

Rrumbullaku bëri të ditur se sipas hetimeve, Laert Haxhiu rezulton të jetë organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhura në Greqi.

Lexo po ashtu Nga Peqini në Korçë e Greqi, cilat janë 6 ekzekutimet që zbuloi anëtari i grupit të Laert Haxhiut

“Ai është organizatori dhe porositësi i vrasjes në Athinë të Lulzim Qorrit dhe Dikens Halili. Të dhënat do i çohen autoriteteve në Athinë”, tha Rrumbullaku.

I pyetur si do të ekstradohet ai në Shqipëri, Rrumbullaku u përgjigj se janë në bisedime me zyrën e Interpolit dhe shprehu besimin se sot ia arrijnë qëllimit.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me zyrën e Interpolit dhe kemi besim se do t’ia arrijmë, pavarësisht problematikave ligjore që kemi përpara”, u përgjigj Rrumbullaku. /Telegrafi/