Në Apelin e Gjykatës së Posacme GJKKO është mbajtur këtë të mërkurë seanca për Laert Haxhiun, të dënuarin me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë për “Masakrën e Lushnjës”.
Haxhiu ka apeluar që e shpalli fajtor për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiut dhe Bujar Turkut.
Në seancë ishte e pranishme prokurorja Doloreza Musabelli, si dhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Gjyqi u ndoq gjithashtu nga babai i Haxhiut.
Në seancë ndodhej edhe vetë Laert Haxhiu, i cili përfaqësohet nga avokati Detar Hysi.
Avokati kërkoi largimin nga trupa gjykuese të gjyqtares Daniela Shirka, pasi ajo ka shqyrtuar një kërkesë në themel.
Pjesë nga debati:
Detar Hysi: Kërkoj largimin nga trupa e gjykimit të gjyqtares Daniela Shirka, pasi ka shqyrtuar një kërkesë në themel.
Musabelli: Bujar Turku dhe Agron Hoxha konsiderohen të njoftuar, ndërsa për personat e tjerë që janë larguar kërkojmë edhe njëherë të tentohet njoftimi i tyre. Në këto kushte kërkojmë shtyrjen e seancës që të njoftohen dhe ata.
Trupa gjykuese: Në këto kushte, do procedojmë me njoftimin për shpallje për Fatos Latifi, Marjus Xhepexhiu dhe Xhulio Shkurti.
Seanca e radhës është më 23 tetor 2024, ora 09.00.
Gjykata e Posaçme e dënoi me burg për jetë Laert Haxhiun në prill të vitit 2024. Ai u shpall fajtor për ngjarjen e ndodhur në Lushnjë në tetor të vitit 2017, ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha e Zamir Latifi dhe u plagosën dy të tjerë.
Po kështu, emri i Laert Haxhiut doli nga dëshmia e Artan Tafanit, që tregoi se grupi i Haxhiut ka organizuar disa vrasje dhe disa ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë.